Rektori Arben Hajrullahu duke e pranuar me dhimbje të thellë lajmin për vdekjen e profesorit Fikret Ahmedi, ngushëllon personelin akademik dhe studentët e Universitetit të Prishtinës, familjarët, miqtë dhe sidomos kolegët e prof. dr. Ahmedit nga Fakulteti i Inxhinierisë së Ndërtimit.
Profesori Fikret Ahmedi një jetë të tërë ia kushtoi edukimit të brezave në këtë fakultet dhe Universitetin e Prishtinës, duke qenë shembull i punës së kryer me përkushtim dhe motivues për studentët që duke marrë edhe dijen prej tij, u bënë inxhinierë që në vazhdimësi kontribuuan për Kosovën e më gjerë.
Prof. dr. Fikret Ahmedi respektohej në Fakultetin e Inxhinierisë së Ndërtimit, pasi ishte pedagog i dalluar, mik i nderuar për kolegët dhe udhërrëfyes për gjeneratat e reja.
Profesori i ndjerë la pas vetes një punë të pashlyeshme që do t’u ndihmojë inxhinierëve të ardhshëm për përgatitjen e tyre akademike dhe profesionale.
Varrimi i prof.dr. Fikret Ahmedit do të bëhet më 14 qershor 2025, në orën 13:00, te varrezat e qytetit në Prishtinë.