Një delegacion i përbërë nga kryetarë të bashkive arbëreshe në Kalabri dhe drejtues të Fondacionit Arbëresh, erdhën në Rektoratin e Universitetit të Prishtinës për të forcuar lidhjet dhe bashkëpunimin me universitetin numër një të viseve shqiptare në Ballkanin Perëndimor.
Ernesto Madeo, komisioner i Fondacionit Arbëresh dhe kryetar i Bashkisë San Demetrio Corone, Damiano Baffa, kryetar i Bashkisë San Cosmo Albanese, Angelo Catapano, kryetar i Bashkisë Frascineto, Serena Notaro, kryetare e Këshillit të Bashkisë Caraffa di Catanzaro, Giuseppe Rizzo, kryetar i Bashkisë Cerzeto, Valerio Caparelli, gazetar dhe përgjegjës i komunikimit të Fondacionit Arbëresh, gjatë vizitës u shoqëruan nga Ismet Krasniqi e Bekim Kupina, këshilltarë të Presidentes Vjosa Osmani.
Mysafirët arbëreshë u pritën nga rektori, prof. Arben Hajrullahu, prorektorja për zhvillim institucional, cilësi dhe çështje studentore, prof. Majlinda Gjelaj dhe prorektori për kërkime shkencore, projekte dhe inovacion, prof. Avni Hajdari.
Ernesto Madeo që foli në emër të delegacionit arbëresh nga Kalabria, tha se gjithçka fillon me arsimimin dhe shkollat, prandaj jemi shumë të interesuar të bashkëpunojmë me Universitetin e Prishtinës. Ai deklaroi se komuniteti arbëresh po mundohet t’i ruajë dhe forcojë raportet me Kosovën.
Rektori Arben Hajrullahu u pajtua për intensifikim bashkëpunimi me komunitetin arbëresh, por tha se ai duhet të zgjerohet përtej bashkëpunimit kulturor e gjuhësor, në fusha strategjike si ekonomia, industria, shkencat mjekësore dhe fusha të ngjashme.
Komuniteti arbëresh u shpërngul nga Shqipëria në Itali pas vdekjes së Gjergj Kastriotit — Skënderbeut në vitin 1468 dhe nga atëherë jeton dhe ruan traditat në shtetin italian.
Delegacioni i arbëreshëve nga Kalabria po qëndron në Kosovë me ftesë të Presidentes Vjosa Osmani.