Panairi Kombëtar i Punës — Ofrohen 500 vende pune për studentët dhe të diplomuarit e Universitetit të Prishtinës

05 Qershor 2025
SHARE

Në Panairin Kombëtar të Punës dhe Karrierës 2025, që u zhvillua në sallën „ 1Tetori” , 130 biznese pjesëmarrëse ofruan 500 vende pune për studentët dhe të diplomuarit e Universitetit të Prishtinës.

Prorektorja për zhvillim institucional, cilësi dhe çështje studentore, prof. Majlinda Gjelaj, gjatë fjalimit të saj hapës në nisje të panairit, tha se ndihet e lumtur që janë mbledhur në një vend punëdhënësit dhe punëkërkuesit.

Prorektorja Gjelaj vlerësoi se lidhja e tregut të punës me edukimin, aftësimin e nevojshëm dhe orientimin në karrierë, është pjesë e rëndësishme e Planit Strategjik të Universitetit të Prishtinës.

Ajo lavdëroi edhe punën e Qendrës për Zhvillim të Karrierës së UP-së që bashkë me Agjencinë për Punësim të Republikës së Kosovës janë organizatorë të panairit, duke uruar që programet e kësaj qendre të jenë gjithnjë në hap me kohën.

Në edicionin e 14-të të Panairit Kombëtar të Punës dhe Karrierës 2025, të financuar nga Agjencia Gjermane për Bashkëpunim Ndërkombëtar (GIZ), foli edhe ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Jörn Rohde. Tha se nuk kishte pritur që kaq shumë kompani të merrnin pjesë në panair. Fjalim në këtë ngjarje mbajti edhe zëvendësministri në Ministrinë e Financave, Punës dhe Transfereve, Agon Dobruna.

Edicioni i sivjetmë i panairit, u zhvillua nën moton „Ndërto Karrierën, Fuqizo të Ardhmen Tënde”. Të rinjtë, studentët dhe të diplomuarit e Universitetit të Prishtinës patën mundësinë të njihen nga afër me mundësitë e punësimit që ofrojnë bizneset kosovare, duke marrë informata nëpër stendat e vendosura të tyre.

Këshilltarët nga Qendra për Zhvillimin e Karrierës ishin gjatë tërë kohës të gatshëm për të ofruar tërë ndihmën e nevojshme për të mundësuar dhe lehtësuar kontaktet mes kërkuesve dhe ofruesve të vendeve të punës.