Në linjë me objektivin strategjik të parë të Universitetit të Prishtinës, Ngritjen e cilësisë në mësimdhënie dhe mësimnxënie, QPM-ja ka organizuar trajnimin e stafit akademik për zbatimin e vlerësimit të vazhdueshëm të studentëve.
Hapësirat në Fakultetin e Filologjisë ku ndodhi ky trajnim, i vizitoi prorektorja për zhvillim institucional, cilësi dhe çështje studentore, prof. Majlinda Gjelaj, e shoqëruar nga drejtoresha e Qendrës për Përsosmëri, prof. Blerta Mustafa.
Prorektorja Gjelaj, para personelit akademik që ndoqi këtë trajnim, shpjegoi se një grup punues i Universitetit të Prishtinës, për herë të parë që nga themelimi i UP-së është duke e hartuar Rregulloren për vlerësimin e vazhdueshëm të studentëve, proces ky i përcaktuar edhe në Statutin e ri të Universitetit.
Sipas Gjelajt, kjo rregullore do t’u japë fund të gjitha dilemave rreth vlerësimit të vazhdueshëm të studentëve dhe do të synojë t’u përgjigjet të gjitha sfidave të këtij procesi.
Duke ju dëshiruar të trajnuarve të jenë në hap me kohën, prorektorja Gjelaj tha se ndihet e lumtur që ata po investojnë në veten e tyre. Më pas, prorektorja për cilësi iu përgjigj pyetjeve dhe interesimeve të personelit akademik rreth veçantive të vlerësimit në disa nga njësitë akademike të UP-së.
Në Qendrën për Përsosmëri në Mësimdhënie të Universitetit të Prishtinës mbahen trajnime të ndryshme, sipas nevojave dhe interesave për zhvillim profesional të vazhdueshëm të stafit akademik, ndërsa pjesëmarrësve të tyre u lëshohen certifikata.
Nga këto trajnime dhe përkushtimi i personelit akademik, cilësia e mësimdhënies në Universitetin e Prishtinës është ngritur për 7.63 për qind në renditjen e vitit 2025 të Times Higher Education, platformës më të njohur globale të klasifikimit të universiteteve.