Lidhja e studimeve me tregun e punës — Mblidhen Trupat këshillëdhënëse të Fakultetit të Filologjisë dhe atij të Arkitekturës

04 Qershor 2025
SHARE

Prorektorja për zhvillim institucional, cilësi dhe çështje studentore, Majlinda Gjelaj, në takimet e ndara të trupave këshillëdhënëse të Fakultetit të Arkitekturës dhe Fakultetit të Filologjisë, tha se lidhja e studimeve me industrinë i ndihmon UP-së të kuptojë nevojat e tregut të punës dhe t’i përgatisë studentët për atë treg.

Në takimin e Trupës Këshillëdhënëse të Fakultetit të Filologjisë, prorektorja Gjelaj, rekomandoi që kjo trupë të identifikojë ish-studentët e Universitetit të Prishtinës dhe të bashkëpunojë me ta, pasi ata që kanë studiuar në UP janë më të gatshëm për ta ndihmuar universitetin e tyre në proceset e lidhjes me tregun e punës.

Prorektorja Gjelaj foli edhe në hapje të takimit të Trupës Këshillëdhënëse të Fakultetit të Arkitekturës.

Ajo e cilësoi këtë trupë një urë lidhëse mes universitetit dhe industrisë, ndërsa u ndal edhe te angazhimi i përbashkët i bizneseve kosovare dhe Fakultetit të Arkitekturës për promovimin e punës praktike për studentët dhe mundësitë e punësimit të qëndrueshëm të tyre pas diplomimit. Tha se rekomandimet që vijnë nga ofruesit e vendeve të punës, ndihmojnë Universitetin e Prishtinës për përmirësimin e kurrikulave mësimore dhe ngritjen e cilësisë së arsimit.

„Partneriteti i qëndrueshëm me tregun e punës është thelbësor për të përgatitur studentët tanë me kompetencat e nevojshme për një treg gjithnjë në zhvillim”, deklaroi prorektorja për cilësi, Majlinda Gjelaj.

Edhe pjesëmarrësit — përfaqësues të bizneseve, institucioneve publike dhe organizatave profesionale nga përvoja e tyre dhanë ide se si të fuqizohet bashkëpunimi me Fakultetin e Arkitekturës në mënyrë që studentët në vazhdimësi e vit pas viti të përgatiten gjithnjë e më mirë për tregun e punës.

Lidhja e Universitetit të Prishtinës me industrinë e vendit është njëri nga kriteret matëse të rangimit në Times Higher Education (THE), platformës më të njohur botërore të klasifikimit të universiteteve.

Në renditjen e UP-së për vitin 2025 në THE, të publikuar këto ditë, kriteri i industrisë u rrit për 9.24 për qind në krahasim me vitin e kaluar, ndërsa rritjen më të madhe prej 66 për qind Universiteti i Prishtinës e pati te kriteri i cilësisë së kërkimit shkencor. Rritje pati edhe në dy tregues tjerë të kësaj renditjeje.

Ngritja e konsiderueshme e cilësisë së Universitetit të Prishtinës në rangimin e Times Higher Education (THE) dhe takimet e trupave këshillëdhënëse të dy fakulteteve, ndodhën në kohën kur maturantët e të gjitha viseve të banuara me shqiptarë po kalojnë ditët e fundit të mësimit në shkollat e mesme, ndërsa Universiteti i Prishtinës po konfirmohet edhe ndërkombëtarisht si zgjidhja më e mirë e tyre për fillim dhe vazhdim të jetës akademike.