Mirënjohja për Austrinë: Te Biblioteka Kombëtare i bëhet vend sheshit „Erhard Busek”

14 Mars 2025
SHARE

Ambasadori i Austrisë në Kosovë, Georg Schnetzer dhe kryetari i Komunës së Prishtinës, Përparim Rama, u bënë bashkë për të përuruar sheshin „Erhard Busek” në hapësirën përpara Bibliotekës Kombëtare „Pjetër Bogdani”.

Në përurimin e sheshit brenda hapësirave të Universitetit të Prishtinës, të pranishëm ishin edhe rektori Arben Hajrullahu dhe prorektorja për ndërkombëtarizim dhe shkëmbim akademik, Rozafa Basha.

Ambasadori i Austrisë në Kosovë, Georg Schnetzer, tha se emri i Erhard Busekut po i vendoset këtij sheshi, pikërisht në ditën kur janë bërë tre vjet nga vdekja e tij. Ai shtoi se Busek do të ishte i kënaqur po ta dinte që emri i tij rri pranë bibliotekës në hapësirat e Universitetit të Prishtinës.

 Erhard Busek, ish-diplomati austriak, me punën e tij të pandalshme përkrahu fuqishëm rrugën evropiane të shteteve të Evropës Juglindore dhe Ballkanit Perëndimor. 

Nga pozitat e tij si zëvendëskancelar dhe ministër federal austriak në fushat e arsimit, kërkimit shkencor dhe kulturës, Erhard Busek ishte njëri ndër njerëzit kryesorë që mundësoi pranimin e diplomave të sistemit kosovar të arsimit në vitet ’90, kur mësohej e studiohej nëpër shtëpitë-shkolla, pasi shteti i Serbisë në atë periudhë të egër aparteidi, kishte larguar edhe nxënësit dhe studentët shqiptarë nga objektet shkollore e universitare.

Shumë profesorë të Universitetit të Prishtinës, si edhe vetë rektori Hajrullahu, fituan dije dhe përvojë nëpër universitetet austriake. Para pak kohësh me rastin e përvjetorit të 17-të të pavarësisë së Kosovës, me sugjerim të UP-së, universitetet e Austrisë, bashkë edhe me disa universitete tjera nëpër botë, u nderuan me medalje nga presidentja Osmani.

Arsimi në Kosovë që nga koha e Perandorisë Osmane është përkrahur fuqishëm nga shteti austriak. Universiteti i Prishtinës ka marrëveshje me Programin austriak ShER, Arsimin e Lartë dhe Kërkimin e Qëndrueshëm në Kosovë, të nënshkruar vitin e kaluar. Me ekspertë të këtij programi ka nisur puna intensive për harmonizimin e rregulloreve me Statutin aktual të UP-së.

Edhe rektori Hajrullahu, në javën e fundit të shkurtit, ligjëroi për UP-në në Akademinë Diplomatike të Vjenës, ndërsa vitin që shkoi ishte edhe në Forumin Ekonomik të zhvilluar në kryeqytetin austriak, ku u fol edhe për ndihmën ndaj universiteteve.

Nisma e emërimit të sheshit pranë Bibliotekës Kombëtare, me emrin e austriakut të njohur, lindi nga Shoqata e Miqësisë Kosovaro-Austriake, e cila u mirëprit dhe mbështet nga të gjitha grupet politike pa përjashtim të përfaqësuara në Asamblenë Komunale të Komunës së Prishtinës.