Rektori i Universitetit të Napolit „L’Orientale”, Roberto Tottoli, bashkë me profesoreshat e këtij universiteti, Francesca Bellino dhe Blerina Suta në një takim me rektorin Arben Hajrullahu dhe prorektoren Rozafa Basha, hulumtuan mundësitë e shtimit dhe thellimit të bashkëpunimit mes dy institucioneve të arsimit të lartë.
Në takim ishin të pranishëm edhe dekani i Fakultetit të Filologjisë, Abdulla Rexhepi, prodekania Milote Sadiku, si dhe akademiku dhe profesori i këtij fakulteti, Bardh Rugova, për shkak të bashkëpunimit të ngushtë që ky fakultet ka me këtë universitet. Universiteti i Prishtinës ka pasur prej disa vitesh një marrëveshje bashkëpunimi me Universitetin e Napolit „L’Orientale”, e cila është përditësuar rishtazi.
Duke u dëshiruar qëndrim të këndshëm në Kosovë, rektori Hajrullahu, u tha miqve dhe kolegëve të tij italianë, se në të dy universitetet ka njerëz me vullnet për ta çuar përpara bashkëpunimin në fushat me interes të përbashkët.
Ai si shembull për lidhje të pashkëputshme mes dy shteteve e universiteteve, përmendi historinë e përbashkët dhe komunitetin arbëresh, i cili prej shekujsh, që nga vdekja e Gjergj Kastriotit — Skënderbeut, jeton dhe ruan traditat në Itali.
Rektori i Universitetit të Napolit „L’Orientale”, Roberto Tottoli, tha se ky universitet i shkencave humane me 10 mijë studentë e 700 persona të personelit, e ka çështje shumë të rëndësishme rritjen e bashkëpunimeve ndërkombëtare.
Duke u lidhur me bashkëjetesën shekullore mes italianëve dhe shqiptarëve, rektori Tottoli tregoi se Katedra e Gjuhës dhe Letërsisë Shqipe në këtë universitet ekziston që nga viti 1900, edhe para se të ishte themeluar shteti shqiptar, ndërsa prorektorja për ndërkombëtarizim dhe shkëmbim akademik, Rozafa Basha, foli mes tjerash, edhe për themelimin e Institutit për Gjuhë dhe Letërsi Italiane në Fakultetin e Filologjisë së UP-së.
Rektori Tottoli, po sot, do të mbajë ligjëratë në Fakultetin e Filologjisë për „Çetën e profetëve” të Pjetër Bogdanit dhe studimin e islamit dhe Kuranit në Evropë, ndërsa kolegia e tij Francesca Bellino do të ligjërojë në lidhje me veprimtaritë enciklopedike arabe gjatë periudhës osmane.