Vazhdon ngritja e pandalshme e Universitetit të Prishtinës në „Webometrics”

28 Janar 2025
SHARE

Universiteti i Prishtinës ka vazhduar ngritjen në renditjen që platforma e njohur „Webometrics” u bën universiteteve nga mbarë bota.

Në renditjen e janarit 2025, të publikuar të hënën e 27 janarit, universiteti më i madh, më i vjetër dhe më i suksesshëm i Kosovës e përtej, ndodhet në vendin e 2540-të.

Përparimi i Universitetit të Prishtinës në këtë platformë është edhe më i madh gjatë një viti — nga janari në janar. Në fillim të vitit 2024, UP-ja ndodhej në pozitën e 2884-rt.

Edhe kjo renditje ka konfirmuar pozitën më të lartë të Universitetit të Prishtinës nga të gjitha institucionet e arsimit të lartë në gjuhën shqipe në hapësirat shqiptare.

Renditja e universiteteve në platformën „Webometrics” bëhet çdo gjashtë muaj, ndërsa kryhet nga „Cybometrics Lab”, që është pjesë e Këshillit Kombëtar Kërkimor të Spanjës. Ka filluar në vitin 2004 me qëllimin e promovimit të dijes që fitohet nga universitetet.

Në renditjen e vitit 2025 janë përfshirë gati 32 mijë institucione të arsimit të lartë nga të gjitha shtetet e botës.