Prof. Asoc. Dr. Majlinda Gjelaj

Prof. Asoc. Dr. Majlinda Gjelaj

Prorektore për zhvillim institucional, cilësi dhe çështje studentore

Majlinda Zhitija-Gjelaj ka përfunduar studimet në Fakultetin Filozofik të Universitetit të Prishtinës, ku ka marrë titujt Bachelor dhe Master në Departamentin e Pedagogjisë. Më pas, ka përfunduar studimet e doktoratës në Universitetin e Tiranës në vitin 2014, në fushën e pedagogjisë.

Ajo është pjesë e Universitetit të Prishtinës që nga viti 2007, ku ka filluar si asistente pas përzgjedhjes si studente e dalluar nga ky universitet. Aktualisht, ajo është profesoreshë e asociuar dhe ligjëron lëndë pedagogjike, duke u angazhuar kryesisht në fushën e vlerësimit në arsim.

Që nga viti 2013, ka shërbyer si zyrtare për zhvillim akademik, më pas si prodekane për çështje mësimore (2016-2020) dhe si prodekane për doktoratë, zhvillim dhe cilësi (2020-2024) në Fakultetin e Edukimit të Universitetit të Prishtinës. Ajo është gjithashtu pjesë e zhvillimit të politikave të ndryshme në fushën e arsimit në Ministrinë e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit (MAShTI) dhe është eksperte e angazhuar në disa organizata kombëtare dhe ndërkombëtare në fushën e arsimit.

Prof. asoc. dr. Majlinda Gjelaj ka publikuar disa punime shkencore në revista ndërkombëtare të njohura, si dhe ka kontribuar me punime në monografi kombëtare dhe ndërkombëtare. Ajo ka marrë pjesë dhe ka prezantuar në konferenca të njohura të arsimit në Bashkimin Evropian. Po ashtu, është trajnere e certifikuar për disa tema pedagogjike që lidhen me mësimdhënien bashkëkohore dhe vlerësimin në arsim, duke mbajtur trajnime për mësimdhënës të të gjitha niveleve.

Në Fakultetin e Edukimit, ajo ka udhëhequr procesin e zhvillimit të mekanizmave të brendshëm për sigurimin dhe zhvillimin e cilësisë, përfshirë politikën për sigurimin e cilësisë dhe zhvillimin e përgatitjes së mësimdhënësve para shërbimit, si dhe ka kontribuar në zhvillimin e instrumenteve për sigurimin e cilësisë në fakultetet e edukimit. Për më tepër, ka udhëhequr edhe disa projekte ndërkombëtare në fakultet dhe aktualisht është kordinatore e projektit BEWBU Erasmus +.