Rozafa Basha, i ka kryer studimet për arkitekturë në Fakultetin e Ndërtimtarisë dhe Arkitekturës në Universitetin e Prishtinës, ku ka diplomuar në vitin 2002 dhe ka marrë titullin Inxhiniere e Diplomuar e Arkitekturës (sistem 5-vjeçar i studimeve). Në vitin 1998 është përzgjedhur studente e dalluar nga Universiteti i Prishtinës. Në vjeshtën e vitit 2007 dhe në pranverën e vitit 2008 ka qëndruar në Universitetin e Lundit - Suedi dhe Universidad Tecnica Santa Maria, në Valparaiso - Kili, për të kryer kursin e avancuar në Konservimin dhe Menaxhimin e Ndërtesave Historike, të organizuar nga Departamenti HDM (Housing Development and Management) iUniversitetit të Lundit. Studimet e masterit shkencor në Dizajnin e Qëndrueshëm Urban i ka kryer në Universitetin e Lundit në Suedi në vitin 2010, ndërsa studimet e doktoratës në Fakultetin e Arkitekturës dhe Urbanistikës në Universitetin Politeknik të Tiranës në vitin 2019, me temën e titulluar „Hapësira publike për të gjithë – Rasti i Prishtinës dhe Prizrenit”.
Interes i ngushtë i punës së saj profesionale dhe hulumtuese është problematika e ndërveprimit të personave me aftësi të kufizuara me mjedisin e ndërtuar, mbi të cilën temë ka disa publikime shkencore, monografi të publikuar, prezantime në konferenca dhe me dhjetëra raporte teknike dhe hulumtime profesionale.
Në Universitetin e Prishtinës është e punësuar që nga fundi i vitit 2003 dhe aktualisht është profesore e lëndëve të fushës së projektimit të ndërtesave të banimit. Në 3 mandate ka shërbyer si koordinatore për zhvillime akademike, fillimisht në Fakultetin e Ndërtimtarisë dhe Arkitekturës dhe pastaj në Fakultetin e Arkitekturës.
Prof. asst. dr. Basha ka ligjëruar si profesore vizitore në Universitetin La Sapienza të Romës, Itali (mobilitet Erasmus +); University of Applied Sciences në Nysa në Poloni (mobilitet Erasmus +); etj., si dhe në Prishtinë ka ligjëruar për studentë të TU Chemnitz dhe të TU Berlin. Në 4 sesione të Universitetit Veror të Prishtinës ka qenë bashkëprofesore me profesorë nga METU, Ankara, Turqi; Mediadesign Hochschule, Gjermani, Politecnico di Milano, Itali. Aktualisht është anëtare e komitetit ndërkombëtar shkencor të programit master MUST (Master di Usi Temporanei) të Politecnico di Milano. Po ashtu ka qenë pjesë aktive e disa projekteve ndërkombëtare Tempus dhe Erasmus +.
Prej 1 tetorit 2024 është emëruar prorektore për ndërkombëtarizim dhe shkëmbim akademik në Universitetin e Prishtinës.