Prof. Avni Hajdari

Prof. Avni Hajdari

Prorektor për kërkime shkencore, projekte dhe inovacion

Avni Hajdari, ka përfunduar studimet në Biologji (2001-2004) dhe Ekologji dhe Mbrojtje të Mjedisit (2005-2007) në Universitetin e Prishtinës. Në vitin 2011, fitoi titullin doktor i shkencave të natyrës (Biologji) nga Universiteti i Mjekësisë Veterinare në Vjenë (Instituti i Botanikës së Aplikuar dhe Farmakognozisë). 

Që nga viti 2004, ka shërbyer si asistent në Universitetin e Prishtinës dhe në vitin 2013 u emërua profesor në Departamentin e Biologjisë. Përveç angazhimeve në mësimdhënie, ai ka kontribuuar në fuqizimin e kapaciteteve kërkimore të universitetit, me fokus të veçantë në fushat: ruajtje e natyrës, etnobiologji (dokumentim i njohurive tradicionale ekologjike), si dhe taksonomi dhe ekologji molekulare (vlerësimin e diversitetit kimik dhe gjenetik të bimëve). 

Në bashkëpunim me kolegë vendas dhe ndërkombëtarë, ka realizuar projekte të shumta kërkimore, duke sjellë në Universitetin e Prishtinës metoda të avancuara kërkimore në fushat e sipërpërmendura, si dhe ka publikuar artikuj shkencorë dhe ka përfaqësuar universitetin në konferenca kombëtare dhe ndërkombëtare. 

Përveç këtyre angazhimeve, ka mbajtur edhe pozita udhëheqëse në Universitetin e Prishtinës, ku ishte: shef i Institutit për Hulumtime Biologjike dhe Mjedisore, shef i Departamentit të Biologjisë dhe drejtor i Zyrës për Hulumtime dhe Projekte të Sponsorizuara. 

Gjithashtu, ai ka kontribuuar edhe në organizata profesionale brenda dhe jashtë vendit, përfshirë aktivitetet si anëtar i bordit në Seksionin Evropian të Shoqatës për Biologjinë e Konservimit. Në vitin 2014 iu dha çmimi „Shkencëtar i Vitit” nga MASHTI. 

Nga 1 tetori i vitit 2024 ushtron detyrën e prorektorit për kërkime shkencore, projekte dhe inovacion në Universitetin e Prishtinës.