Mbahet punëtoria tre ditore për rishikimin e Statutit të UP-së

30 Mars 2023
SHARE

Universiteti i Prishtinës, i mbështetur nga HERAS Plus, ka organizuar punëtorinë tre ditore për plotësim-ndryshimin e Statutit.

Në këtë punëtori pjesëmarrës ishin anëtarët e komisionit punues, i cili përfshin: rektorin Qerim Qerimi, në cilësinë e kryesuesit, anëtarë të Këshillit Drejtues dhe të Senatit të UP-së, dekanë, përfaqësues të studentëve dhe përfaqësues nga shoqëria civile, ekspertë ndërkombëtarë, si dhe të pranishëm të tjerë, përfshirë profesorë dhe partnerë të UP-së.

Kjo punëtori është mbështetur nga projekti HERAS plus, ndër të tjerash, përmes përfshirjes së ekspertes ndërkombëtare, Kristiina Tõnnisson. Përfshirja e ekspertes dëshmon vëmendjen që UP-ja është duke i dhënë perspektives ndërkombëtare dhe pikëpamjes krahasuese me institucionet simotra, në përpilimin e këtij dokumenti.  

Të pranishmit në këtë punëtori kanë theksuar rëndësinë e Statutit, si bazë ligjore për mirëfunksionimin e Universitetit të Prishtinës. Njëherësh, ndryshimi i Statutit të UP-së është ndër pikat kryesore të planit të punës së menaxhmentit të UP-së, në këtë mandat.