Rektori takon studentët ndërkombëtarë, të cilët po studiojnë në UP përmes programit Erasmus+

17 Mars 2023
SHARE

Rektori, prof. dr. Qerim Qerimi, ka takuar sot një grup të studentëve ndërkombëtarë, të cilët këtë semestër kanë zgjedhur ta kalojnë në Universitetin e Prishtinës.

I shoqëruar nga prorektorja për ndërkombëtarizim dhe shkëmbim akademik, prof. dr. Arta Basha – Jakupi dhe stafi i Zyrës për Marrëdhënie me Jashtë në UP, Rektori u uroi mirëseardhje të rinjve që kanë zgjedhur UP-në për të vijuar semestrin pranveror/veror të këtij viti akademik. Ai diskutoi me studentët rreth përvojave të tyre të deritanishme në UP dhe shprehu gatishmërinë e tij dhe të stafit përgjegjës, që t'i dëgjojnë sugjerimet e tyre, në mënyrë që eksperienca e të rinjve në UP të rezultojë sa më e dobishme në aspektin akademik, social dhe kulturor.  

Ndërkaq, prorektorja Basha – Jakupi, i falënderoi studentët që kanë zgjedhur UP-në, në kuadër të shumë mundësive që ofron programi Erasmus+ për të rinjtë në Evropë dhe theksoi që prania e tyre e pasuron mjedisin ndërkulturor në UP.

E studentët këtë përvojë po e konsiderojnë si shumë të rëndësishme për të ardhmen e tyre. “Në vizitën time të parë në Kosovë, kam rënë në dashuri me gjithçka këtu dhe kjo është arsyeja se pse jam rikthyer”, tha studentja Julia Anna Maria nga Universiteti Evropian Viadrina në Gjermani.

Studentët vijnë nga universitete të shteteve të ndryshme të evropiane, si: Gjermania, Polonia, Turqia dhe aktualisht po vijojnë studimet në fakultete të ndryshme në UP, përfshirë: Fakultetin e Filologjisë, Fakultetin e Inxhinierisë Mekanike, Fakultetin Filozofik dhe atë të Bujqësisë dhe Veterinarisë.

Universiteti i Prishtinës numëron qindra marrëveshje në kuadër të programit Erasmus+  dhe një serë partneritetesh ndërinstitucionale, përmes të cilave studentët dhe stafi realizojnë shkëmbime brenda vitit, duke rezultuar edhe me shkëmbim të ideve dhe praktikave më të mira me universitetet partnere.