Studenti i Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina”, Rilind Shala, i cili ndjek studimet master për Fizioterapi në Fakultetin e Mjekësisë, ka publikuar punimin e titulluar “’I’m active enough in my job.’ Why is occupational physical activity not enough?” në revistën prestigjioze shkencore British Journal of Sports Medicine me impakt faktor 13.8.
Kjo revistë është multimediale dhe ofron hulumtime dhe debate lidhur me aspektet relevante klinike të fushës së Mjekësisë Sportive dhe rangohet më e larta në botë në kategorinë e Fizioterapisë dhe Mjekësisë Sportive.
Artikulli i publikuar i studentit të UP-së shtjellon pika të ndryshme lidhur me aktivitetin fizik si profesion dhe ndërlidhjen e tij me efektet negative në shëndetin e njeriut dhe hapa konkretë për arritjen e një balance efektive.
Përveç arritjes vetanake, ky publikim, sipas studentit, është edhe reflektim i përkushtimit të stafit akademik të Fakultetit të Mjekësisë dhe fryt i punës së përbashkët.
“Fakulteti i Mjekësisë, veçanërisht katedra e Fizioterapisë, kanë bërë dhe vazhdojnë të bëjnë një punë të jashtëzakonshme në përgatitjen e studentëve në aspektin profesional dhe shkencor. Përgatitja që bëhet në Fakultetin e Mjekësisë bazohet në literaturën e fundit shkencore dhe kjo reflekton në sukseset që kanë studentët sot. Si rezultat i kësaj përgatitjeje, ka ndikuar që edhe punimi im të pranohet në revistën ‘British Journal of Sports Medicine’, e cila ka kriter pranueshmërie vetëm 18%”, ka thënë studenti Shala.
Suksesin e studentit Shala e ka vlerësuar lart edhe prorektori për kërkime shkencore në UP, prof. dr. Kurtesh Sherifi. Ai konsideron se publikimi i punimeve shkencore nga studentët dhe stafi akademik i UP-së në revista prestigjioze ndërkombëtare, të indeksuara në platformat kredibile si Web of Science dhe SCOPUS, është një imperativ i kohës, në mënyrë që rezultatet e hulumtimit shkencor të jenë të vlerësueshme, të qasshme dhe të aplikueshme nga shkencëtarët ndërkombëtarë, reflektuar edhe me rritjen e numrit të citimeve dhe ndikuar pozitivisht në reputacionin dhe rangimin e UP-së.
Ndryshe, publikimi i këtij artikulli ka bërë që UP-ja, për herë të parë, të përmendet në revistën në fjalë, e cila, nga 262 revistat e kësaj kategorie, sipas platformës Scopus, renditet e para.