Me qëllim të shkëmbimit të njohurive akademike, Parlamenti Studentor i Universitetit “Hasan Prishtina” ka qëndruar për vizitë dyditore, më 9 dhe 10 mars, në Tiranë. Atje studentët patën rastin të vizitojnë disa prej universiteteve publike të kryeqytetit të Shqipërisë, duke u takuar me studentët përfaqësues dhe menaxhmentet e universiteteve.
Më 9 mars u zhvillua vizita e parë në Universitetin e Arteve, ku u pritën nga përfaqësuesit e Këshillit Studentor si dhe dy zëvendësrektorët, prof. Erald Bakalli dhe prof. Arian Paço. Në shoqërimin e Këshillit Studentor të UART-së, vizituan ambientet e fakulteteve, ku u njohën edhe më tej me infrastrukturën dhe stilin e mësimdhënies në fushën e artit. Në përmbyllje të takimit, u diskutua për mundësinë e shkëmbimit të studentëve nga universitetet respektive, përmes krijimit të modelit Arbsmus (ngjashëm me Eramus).
Në këtë ditë u zhvillua edhe takimi me Klodian Kasën, studentin senator të Universitetit Politeknik të Tiranës, në të cilin u shtruan shumë çështje me rëndësi për studentët në të gjitha trojet shqipfolëse.
UP-ja do të vazhdojë të mbështesë nisma të tilla me qëllim të bashkëpunimit dhe krijimit të urave lidhëse me universitetet fqinje.