Klubi i Etikës në Fakultetin Juridik të Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina” ka realizuar vizitë studimore në Republikën e Maqedonisë së Veriut. Në këtë organizim, të kryesuar nga koordinatori i Klubit të Etikës, z. Leotrim Pajaziti, dhe zv.koordinatorja Dijellëza Selmani, në bashkëpunim me përfaqësuesen e studentëve të Universitetit “Shën Kirili dhe Metodi”, znj. Buse Asani, dhe kryetarin e Kuvendit Studentor të Universitetit “Nënë Tereza” në Shkup, z. Abduselam Kamberi, u realizuan një mori aktivitetesh.
Në universitetin nikoqir, studentët mbajtën panel diskutimi me temën “Sistemi kushtetues dhe administrativ në Republikën e Maqedonisë së Veriut dhe në Republikën e Kosovës”, ku panelistë ishin ish-gjykatësi z. Beqir Shahini, profesori universitar, prof. dr. Driton Kuçi, si dhe nikoqiri i sferës akademike, prof. dr. Argëtim Saliu. Të pranishëm ishin anëtarët e Klubit të Etikës dhe studentë të Fakultetit Juridik të UP-së, Universitetit “Nënë Tereza”, Universitetit të Evropës Juglindore, Universitetit “Shën Kirili dhe Metodi” si dhe Universitetit të Tetovës, ku debati u karakterizua me interaktivitet dhe interesim të lartë të studentëve.
Pas kësaj, studentët e UP-së patën mundësi të jenë pjesë e vizitave në institucionet shtetërore, duke përfshirë Ministrinë për Sistem Politik, në Këshillin Gjyqësor si dhe në Kuvendin e Republikës së Maqedonisë së Veriut, ku u mirëpritën nga zyrtarë të lartë shtetërorë.
Pas takimit, të dyja palët shprehën gatishmërinë për bashkëpunim ndërmjet institucioneve të dy vendeve dhe shkëmbimin e përvojave akademike.