Ftesë për pjesëmarrje në Konferencën Ndërkombëtare të Kosovës për Kërkime Arsimore (KICER) 2026

18 Qershor 2026
SHARE

I nderuar personel akademik, administrativ dhe studentë të UP-së, të nderuar studiues dhe ekspertë vendorë e ndërkombëtarë të arsimit,

më 23 dhe 24 qershor 2026 do të zhvillohet edicioni i gjashtë i Konferencën Ndërkombëtare të Kosovës për Kërkime Arsimore (KICER) 2026, njërës nga konferencat më të mëdha të arsimit në rajon që tradicionalisht organizohet nga Fakulteti i Edukimit i Universitetit të Prishtinës.

Konferenca, edhe sivjet, sikur edhe vitet tjera do të bëjë bashkë mbi 300 pjesëmarrës: studiues, mësimdhënës, studentë, ekspertë të arsimit dhe përfaqësues institucionalë. Programi i këtij viti përfshin mbi 120 prezantime shkencore, 22 sesione paralele, poster prezantime dhe ligjërata kyçe nga studiues vendorë dhe ndërkombëtarë.

Edicioni i këtij viti trajton tema të rëndësishme për zhvillimin e arsimit, duke përfshirë reformën kurrikulare, gjithëpërfshirjen, edukimin në fëmijërinë e hershme, teknologjinë dhe inteligjencën artificiale në arsim, zhvillimin profesional të mësimdhënësve, udhëheqjen shkollore, vlerësimin dhe inovacionin pedagogjik.

Gjatë konferencës janë paraparë të zhvillohen edhe tri ligjërata kyçe nga dr. Seamus Delaney, pjesë e Universitetit Deakin në Australi, prof. dr. Matthias Ludëig nga Universiteti “Goethe”i Frankfurtit të Gjermanisë dhe eksperti kosovar i arsimit, dr. Dukagjin Popovci.

Vitin e kaluar konferenca kishte temë bosht arsimin në epokën e globalizmit dhe mundësitë për mësimdhënie dhe mësimnxënie transformuese.