Zgjatet afati i konkurrimit në konkursin për studentë të nivelit master 2025/’26 dhe bëhet plotësim/ndryshimi i kritereve të aplikimit për një kategori të studentëve

09 Korrik 2025
SHARE

Të dashur studentë të interesuar për studimet master në UP,

Universiteti i Prishtinës ka zgjatur afatin e aplikimit për konkursin e studimeve master të vitit 2025/’26. 

Kandidatët mund të aplikojnë për këtë nivel studimi deri më 12 korrik 2025, në orën 16:00.

Gjithashtu të drejtë konkurrimi për studimet master të vitit 2025/’26 kanë edhe studentët që kanë kryer të gjitha provimet e parapara me programin baçelor, por ende nuk e kanë përfunduar temën/provimin e diplomës, me kushtin që të diplomojnë para datës 2 shtator 2025. 

Programet e studimit të ofruara nga UP-ja mbulojnë fusha të ndryshme studimi dhe janë të ndërtuara për të përgatitur studentët për sfidat e tregut të punës, duke i pajisur ata me njohuri dhe aftësi të nevojshme për zhvillim profesional dhe personal.

Universiteti i Prishtinës synon të krijojë një ambient të favorshëm akademik, ku studentët mund të rriten në aspektin intelektual dhe të arrijnë objektivat e tyre në karrierë.

Ftoheni të aplikoni dhe të bëheni pjesë e një universiteti me histori, traditë dhe përkushtim ndaj cilësisë në arsim.