Këshilli Drejtues i Universitetit të Prishtinës zhvilloi takim me ministrin e Arsimit dhe Shkencës, z. Hajrulla Çeku

17 Korrik 2026
SHARE

Këshilli Drejtues i Universitetit të Prishtinës, i kryesuar nga kryesuesi i Këshillit Drejtues, Altin Sahiti, zhvilloi një takim pune me ministrin e Arsimit dhe Shkencës, z. Hajrulla Çeku, në ambientet e Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës.

Takimi u zhvillua në frymën e bashkëpunimit institucional dhe u fokusua në arritjet e Universitetit të Prishtinës, sfidat aktuale dhe prioritetet zhvillimore. Vëmendje e veçantë iu kushtua Planit Strategjik të Universitetit të Prishtinës 2026–2030, i cili synon të orientojë zhvillimin e universitetit drejt standardeve më të larta evropiane të arsimit të lartë.

Gjatë diskutimeve u trajtuan gjashtë shtyllat strategjike mbi të cilat mbështetet zhvillimi i Universitetit të Prishtinës: ekselenca akademike, përvoja studentore, kërkimi shkencor dhe inovacioni, ndërkombëtarizimi, qeverisja dhe qëndrueshmëria institucionale, si dhe transformimi digjital. U theksua se këto prioritete janë themelore për rritjen e cilësisë së studimeve, avancimin e kërkimit shkencor, modernizimin e proceseve universitare dhe forcimin e pozitës së Universitetit të Prishtinës në hapësirën evropiane të arsimit të lartë.

Anëtarët e Këshillit Drejtues vlerësuan se realizimi i këtyre objektivave strategjikë kërkon mbështetje të vazhdueshme nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës, si në aspektin financiar ashtu edhe në atë institucional. Ata theksuan se investimi në Universitetin e Prishtinës është investim në zhvillimin e vendit, në krijimin e kuadrove profesionale dhe në rritjen e konkurrueshmërisë së Kosovës.

Në përfundim të takimit, Këshilli Drejtues shprehu mirënjohjen për mbështetjen e deritanishme të Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës dhe riafirmoi përkushtimin për bashkëpunim të ngushtë në zbatimin e Planit Strategjik 2026–2030, me synim avancimin e mëtejshëm të Universitetit të Prishtinës si institucioni lider i arsimit të lartë në Republikën e Kosovës.