Në ditën e njëmbëdhjetë të Universitetit Ndërkombëtar Veror të Prishtinës (PISU), programi vazhdoi me kurse dhe punëtori që trajtuan teknologjinë financiare, analizën e klimës dhe zhvillimin personal e profesional.
Në Fakultetin Ekonomik vazhdoi kursi “Metodat Bayesiane për Teknologjinë Financiare dhe Analizën e Rrezikut”, i udhëhequr nga prof. Claudia Tarantola nga Universiteti i Milanos dhe prof. Albulena Shala nga Universiteti i Prishtinës.
Përmes ligjëratave dhe ushtrimeve praktike, studentët u njohën me përdorimin e metodave Bayesiane në analizën e rrezikut të kredisë, menaxhimin e portofolit, zbulimin e mashtrimeve financiare dhe tregtimin algoritmik. Prof. Tarantola theksoi rëndësinë në rritje të këtyre metodave për ndërtimin e modeleve më të sakta dhe vendimmarrjen në kushte pasigurie.
Studenti Amant Rusinovci vlerësoi ndërthurjen e probabilitetit me programimin, duke theksuar se kursi e kishte ndihmuar t’i kuptonte më mirë lidhjet ndërmjet këtyre dy fushave.
Në Laboratorin e Gjeografisë përfundoi kursi “Hartimi dhe Modelimi i Klimës dhe Motit duke përdorur GIS dhe Teknikat e Sensing-ut të Largët”, i udhëhequr nga prof. Joanna Jaskuła nga Universiteti i Shkencave të Jetës në Poznan dhe prof. Valbon Bytyqi nga Universiteti i Prishtinës.
Kursi u ofroi studentëve njohuri dhe aftësi praktike për analizimin e klimës, monitorimin e burimeve natyrore dhe trajtimin e sfidave mjedisore. Ligjëruesit theksuan se GIS-i dhe remote sensing-u janë mjete të rëndësishme për të kuptuar ndryshimet klimatike dhe për të zhvilluar analiza pa kufizime gjeografike.
Në kurs morën pjesë studentë nga Kosova, Shqipëria, Gana dhe Shtetet e Bashkuara. Jona Kallaba, studente e Gjeodezisë në Universitetin e Prishtinës, vlerësoi veçanërisht karakterin praktik dhe mundësinë e zbatimit të njohurive në studime dhe në punën e ardhshme profesionale.
Ndërkaq, në Modelariumin e Fakultetit të Arkitekturës, prof. Lucinde Terluin nga Holanda udhëhoqi një punëtori mbi njohjen e vetes, marketingun personal dhe zhvillimin e karrierës.
Përmes diskutimeve dhe ushtrimeve reflektuese, studentët u inkurajuan të identifikojnë vlerat dhe aftësitë e tyre, si dhe të kuptojnë rëndësinë e autenticitetit në ndërtimin e identitetit profesional. Në përfundim të punëtorisë, pjesëmarrësit u pajisën me certifikata.