Ligjëratë mysafire e antropologes Janet Reineck për studentët e PISU-së

13 Korrik 2026
SHARE

Sot, studentët e Shkollës Verore të Antropologjisë / PISU patën kënaqësinë ta mirëprisnin Dr. Janet Reineck në kursin e filmit etnografik.

Dr. Reineck ndau me studentët rrëfime dhe reflektime nga rrugëtimi i saj jetësor si antropologe, punëtore humanitare dhe realizuese e emisionit “Amerikania përsëri në Kosovë”. Ajo foli për punën e saj në terren gjatë viteve 1980 dhe 1990, për angazhimin e saj humanitar para luftës, si dhe për përvojat e saj në Kosovë gjatë viteve të fundit.

Pas rikthimit dhe vendosjes së saj në Kosovë, ajo ka filluar t’i vizitojë përsëri shumë prej vendeve dhe komuniteteve që i kishte njohur për herë të parë dekada më parë. Me kamerën e saj, ajo tashmë po realizon kronika javore etnografike për jetën e përditshme, marrëdhëniet shoqërore, migrimin, praktikat kulturore dhe mënyrat e shumta përmes të cilave njerëzit e ruajnë, e përshtatin dhe e përcjellin tutje kulturën e tyre.

Ajo foli gjithashtu shumë hapur për atë që nënkupton puna me kamerë në terren: për pjesëmarrjen, bashkëpunimin, mirëbesimin dhe ndjeshmërinë ndaj komuniteteve. 

Studentët përfituan shumë nga përvoja, rrëfimet dhe këshillat e saj praktike. Vizita e saj u dha atyre mjaft frymëzim ndërsa po përgatiten të krijojnë kronikat e tyre të shkurtra etnografike në kuadër të kursit.

Faleminderit, Dr. Reineck, për këtë bashkëbisedim bujar, të gjallë dhe frymëzues!