Shkolla Verore e Antropologjisë e Departamentit të Antropologjisë (SHVA), e cila po mbahet për të katërtën herë, dhe këtë vit në kuadër të Univeristetit Veror Ndërkombëtar të Prishtinës, ka mbledhur së bashku studentë nga vende të ndryshme për të diskutuar në mënyrë të afërt, kritike dhe krijuese se si kulturat, shoqëritë, vendet dhe njerëzit paraqiten përmes filmit.
Këtë vit, SHVA është përqendruar posaçërisht në filmin etnografik dhe ligjërohet nga profesor Arsim Canolli, nga Departamenti i Antropologjisë në Universitetin e Prishtinës, dhe profesoreshë Eralda Lameborshi, nga East Texas A&M University në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Grupi i studentëve pjesëmarrës përbëhet nga studentë që vijnë nga fusha të ndryshme akademike, si antropologjia, historia, filozofia, arti, puna sociale, studimet kulturore dhe letërsia. Po ashtu, ata vijnë nga vende të ndryshme, përfshirë Slloveninë, Shqipërinë, Gjermaninë, Kosovën, Italinë, Holandën, Turqinë dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Pikërisht kjo ndërthurje e larmishme përvojash, disiplinash dhe këndvështrimesh i ka bërë diskutimet goxha të gjalla dhe të pasura, pasi secili student sjell një mënyrë të veçantë të interpetimit të filmit, kulturës dhe reprezentimit. Gjatë javës së parë, studentët u njohën në mënyrë të gjerë me historinë, teorinë, etikën dhe praktikën e filmit etnografik.
Ligjëratat e para shqyrtuan se çfarë e bën një film etnografik, në ç’mënyrë filmi etnografik dallon nga filmi dokumentar dhe përse antropologët e përdorin kamerën për të studiuar më nga afër jetën e përditshme, marrëdhëniet shoqërore dhe praktikat kulturore.
Studentët ndoqën gjithashtu zhvillimin historik, teorik dhe estetik të filmit dokumentar dhe etnografik përmes veprës së kineastëve dhe antropologëve të njohur, si Robert Flaherty, Dziga Vertov, John Grierson, Margaret Mead, Jean Rouch, Robert Gardner, Frederick Wiseman dhe David MacDougall, etj.
Në kuadër të kursit, studentët shikuan edhe filmin etnografik të profesor Canollit, “Muzeu i Malësisë” (2012). Pas shfaqjes, ata patën mundësinë ta diskutonin filmin drejtpërdrejt me autorin, duke parashtruar pyetje të shumta rreth punës në terren, zgjedhjeve filmike, bashkëpunimit me pjesëmarrësit dhe sfidave të ndërlikuara që lidhen me përfaqësimin e njerëzve vendas dhe të trashëgimisë kulturore në ekran.
Kursi ka qenë po ashtu edhe praktik. Studentët kanë dalë jashtë klasës për të xhiruar skena të shkurtra vrojtuese, për të eksperimentu me kompozimin, kornizimin dhe perspektivat e kamerës, dhe më pas për t’i shikuar, analizuar dhe diskutuar punimet e tyre së bashku në klasë. Këto ushtrime kanë treguar qartazi se sa ndryshe mund ta vrojtojnë, ta përjetojnë dhe ta filmojnë njerëzit të njëjtin mjedis.
Gjatë ditëve në vijim, studentët do të vazhdojnë të punojnë me intervista, do të vizitojnë dy lokalitete rurale dhe do të përfshihen në ushtrime të ndryshme intervistimi, montazhi dhe bashkëpunimi. Të organizuar në grupe, ata do të realizojnë filma të shkurtër etnografikë ose kronika filmike etnografike si pjesë e detyrës së tyre përfundimtare.
Shkolla Verore e Antropologjisë, tashmë në kuadër të Universitetit Veror Ndërkombëtar të Prishtinës, synon t’i mësojë studentët se si të vrojtojnë më me kujdes, të dëgjojnë më nga afër dhe të mendojnë në mënyrë më kritike për mënyrën se si jeta praktike, kultura, traditat, përditshmëria dhe botëkuptimet e njerëzve të tjerë përfaqësohen përmes filmit.