Më datë 8 korrik, 2026 ndërroi jetë Prof. Dr. Nuhi Rexhepi, profesor dhe ish-dekan i Fakultetit të Filologjisë.
Prof. Dr. Nuhi Rexhepi lindi në vitin 1942 në Pogragjë të Gjilanit. Arsimin fillor e kreu në vendlindje, ndërsa Shkollën Normale në Prishtinë dhe Gjakovë. Në vitin 1967 diplomoi në Degën e Gjuhës dhe Letërsisë Shqipe të Fakultetit Filozofik të Universitetit të Prishtinës. Në vitin 1995 mbrojti disertacionin e doktoratës me temën “Interpretimi i letërsisë shqipe në tekstet shkollore të Kosovës (1945–1990)”.
Prof. Dr. Nuhi Rexhepi në vitin 1972 u emërua asistent në Fakultetin e Filologjisë të Universitetit të Prishtinës, institucion me të cilin e lidhi pjesën më të madhe të veprimtarisë së tij akademike.
Në Universitetin e Prishtinës ligjëroi për dekada lëndët Historia e Letërsisë Shqipe dhe Metodika e Gjuhës Shqipe. Gjatë karrierës së tij ushtroi detyra të rëndësishme akademike dhe institucionale. Ai ishte anëtar i Senatit të Universitetit të Prishtinës në dy mandate, 1994–1997 dhe 1997–2000, shef i Degës së Letërsisë në vitet 1998–2000, prodekan i Fakultetit të Filologjisë në dy mandate, gjatë periudhës 2001–2004 dhe dekan i Fakultetit të Filologjisë në vitet 2004–2009.
Veprimtaria e tij shkencore përfshin studime, tekste universitare, artikuj profesionalë për gjuhën dhe letërsinë, si dhe punime shkencore mbi çështje të letërsisë, të botuara në revista dhe botime akademike, përfshirë botimet e Seminarit Ndërkombëtar për Gjuhën, Letërsinë dhe Kulturën Shqiptare dhe të Fakultetit të Filologjisë.
Ai la pas një veprimtari të gjatë pedagogjike, shkencore dhe institucionale në shërbim të arsimit, universitetit dhe kulturës shqiptare.