Universiteti i Prishtinës, me rastin e ndarjes nga jeta të profesorit Jashar Kabashi, shpreh ngushëllimet më të sinqerta për familjen Kabashi, kolegët, studentët dhe të gjithë ata që patën fatin ta njohin dhe të bashkëpunojnë me të. Ai ishte profesor për shumë vite në Fakultetin e Filologjisë të Universitetit të Prishtinës, në Departamentin e Gjuhës dhe Letërsisë Angleze, ku ligjëroi lëndët Morfologji e Gjuhës Angleze dhe Metodologji e Mësimdhënies, etj. Gjatë gjithë jetës së tij akademike, prof. Kabashi u dallua për përkushtimin e tij si pedagog, studiues dhe mentor i brezave të studentëve. Me punën e tij shumëvjeçare, ai dha një kontribut të rëndësishëm në zhvillimin e studimeve të gjuhës angleze, në avancimin e cilësisë së mësimdhënies universitare dhe në përgatitjen profesionale të shumë gjeneratave të mësimdhënësve dhe studiuesve. Prof. Dr. Jashar Kabashi u nda nga jeta më 30 qershor 2026, duke lënë pas një trashëgimi të çmuar akademike, profesionale dhe njerëzore, e cila do të mbetet pjesë e rëndësishme e Universitetit të Prishtinës dhe e arsimit të lartë në Kosovë.