Universiteti i Prishtinës ngushëllon për vdekjen e profesorit Nysret Ramadani

24 Qershor 2026
SHARE

Universiteti i Prishtinës me rastin e vdekjes së profesorit Nysret Ramadani, ngushëllon ish-kolegët, studentët e tij, profesionistët shëndetësorë të vendit, familjarët, miqtë dhe të gjithë të pikëlluarit. 

Profesori Ramadani ishte profesori më i vjetër i fiziologjisë dhe njëri nga themeluesit e Fakultetit të Mjekësisë të Universitetit të Prishtinës. Ai studimet themelore i përfundoi në Fakultetin e Mjekësisë të Universitetit të Zagrebit. Po në Kroaci i kreu edhe specializimet dhe studimet postdiplomike. 

Ai ishte mjeku i parë në Zym të Hasit dhe drejtor në Institutin e Fiziologjisë dhe Institutet Paraklinike dhe njëri nga njerëzit që krijuan bazën e formësimit të kuadrove mjekësore të Kosovës. 

Profesori Ramadani la pas vetes dhjetëra punime shkencore dhe shumë punë në dobi të sistemit shëndetësor të vendit. Njerëzit e tillë lënë mungesa vështirë të mbulueshme.