Universiteti i Teksasit në Dallas të ShBA-së (UTD) ia ndau ish-studentes së Universitetit të Prishtinës dhe moderatores së njohur të RTK-së, znj. Alketa Gashi-Fazliu çmimin „Orpheus Texts Journalist of the Year 2025".
Çmimi ndërkombëtar znj. Gashi-Fazliu i është dhënë nga shtëpia botuese „Mundus Artium Press" me seli në Universitetin e Teksasit në Dallas dhe i është dorëzuar nga drejtori i saj, z. Gjekë Marinaj.
Gjatë ceremonisë, fjalë përshëndetëse mbajtën prorektorja për ndërkombëtarizim dhe shkëmbim akademik, prof. Rozafa Basha, ambasadori i parë i Kosovës në ShBA, z. Avni Spahiu, akademiku Zymer Neziri, profesori i Universitetit të Teksasit, Gjekë Marinaj, mësimdhënësja Agnesa Çipa dhe laureatja e çmimit, znj. Alketa Gashi Fazliu. Ajo e cilësoi Universitetin e Prishtinës si vendin ku është brumosur.
Pas ceremonisë, prorektorja Basha u takua me drejtorin e „Mundus Artium Press" dhe profesorin e disertacioneve dhe hulumtimeve ndërkombëtare më bazë në Universitetin e Texasit në Dallas, Gjekë Marinaj.
Në takim u fol për mundësitë e bashkëpunimit mes Universitetit të Prishtinës, Universitetit të Teksasit në Dallas dhe institucioneve tjera të arsimit të lartë nga bota në të cilat punon profesori Marinaj.
Profesori Marinaj tha se është kënaqësi dhe nder që ta shfrytëzojë gjithë autoritetin e tij për të krijuar lidhje e rrjetëzim të UP-së me institucionet ku jep mësim dhe me të cilat ka kontakte.