Universiteti i Prishtinës ngushëllon për humbjen e Destan Halimit, sekretarit të përgjithshëm të UP-së

16 Qershor 2026
SHARE

Universiteti i Prishtinës ngushëllon familjarët, kolegët, personelin akademik, administrativ, studentët, miqtë dhe të gjithë të pikëlluarit me rastin e vdekjes së Destan Halimit.

Halimi që kreu Fakultetin Juridik në Universitetin e Prishtinës, në vitin 1983 u zgjodh sekretar i përgjithshëm i këtij universiteti.

Detyrën e rëndësishme të kreut administrativ ai e zhvilloi edhe në periudhën më të vështirë të Universitetit të Prishtinës, kur ky institucion veproi në shtëpitë-shkolla gjatë viteve’90 pas largimit me dhunë të profesorëve, studentëve e administratës nga objektet universitare.

Halimi ishte edhe sekretar i Fakultetit të Shkencave Matematiko-Natyrore nga viti 1980 deri në vitin 1983. Ai gjithashtu pas luftës së viteve 1998-1999, dha kontribut të çmuar intelektual e profesional gjatë hartimit të Statutit të Universitetit të Prishtinës dhe Ligjit për Arsimin e Lartë.

Sekretari Halimi ishte edhe redaktor përgjegjës dhe pjesë e këshillit botues të monografisë së Universitetit të Prishtinës në përvjetorin e 35-të të themelimit. Njerëz si Destan Halimi që ndërtuan me mund dhe kujdes mbamendjen institucionale të universitetit, mbeten përjetësisht pjesë e UP-së.