Kosova Anthropologica është konfiguruar plotësisht në DOAJ për të filluar ruajtjen afatgjate të përmbajtjes së saj përmes CLOCKSS, në kuadër të iniciativës ndërkombëtare JASPER.
Ky është një hap i rëndësishëm për forcimin e cilësisë, qëndrueshmërisë dhe dukshmërisë ndërkombëtare të botimeve shkencore të Universitetit të Prishtinës. Ruajtja digjitale nëpërmjet CLOCKSS siguron që artikujt dhe përmbajtja shkencore e revistës të arkivohen në mënyrë të sigurt dhe të mbeten të qasshme për studiuesit, studentët dhe publikun edhe në të ardhmen.
„Ky zhvillim e afron më tej Kosova Anthropologica me standardet ndërkombëtare të botimit me qasje të hapur (Diamond Open Access) dhe përforcon përkushtimin e Universitetit të Prishtinës për zhvillimin e botimeve akademike cilësore, të qëndrueshme dhe të integruara në infrastrukturat globale të dijes”, tha kryeredaktori i revistës, prof. Arsim Canolli.
Universiteti i Prishtinës falënderon DOAJ-in dhe JASPER-in për mbështetjen në këtë proces, si dhe ekipin editorial të Kosova Anthropologica për punën e vazhdueshme në ngritjen e standardeve të revistës.
Kosova Anthopologica që nga themelimi është përfshirë në rrjete të shumta evropiane dhe botërore të revistave me qasje të hapur, duke rritur praninë ndërkombëtare dhe rrjetëzimin.