Me vendimin e datës 18 prill 2025, Këshilli i Etikës i Universitetit të Prishtinës ka hedhur poshtë të gjitha pretendimet për shkelje në procesin e avancimit të rektorit Arben Hajrullahu në titullin profesor i rregullt në vitin 2022, duke i vlerësuar që të gjitha ato si të pabaza.
Profesori Enver Hasani e kishte denoncuar në Këshillin e Etikës rektorin Arben Hajrullahu, me pretendimin se gjatë procesit të avancimit në profesor të rregullt në vitin 2022, Hajrullahu kinse kishte bërë shkelje etike, duke u ndodhur në konflikt interesi.
Këshilli i Etikës, në arsyetimin e vendimit, hedh poshtë pretendimin e denoncuesit Hasani se kinse rektori aktual Hajrullahu në vitin 2022, në cilësinë e anëtarit të Këshillit të Fakultetit Filozofik, ka votuar për avancimin e vet në gradën profesor i rregullt dhe se ai ka shkaktuar konflikt interesi edhe në mbledhjen e Senatit, kur është vendosur avancimi i tij në profesor të rregullt. Këshilli i Etikës po ashtu ka ardhur në përfundim se nuk kishte asnjë ankesë nga kundërkandidatët gjatë procesit të avancimit të Hajrullahut dhe nuk ka as palë të dëmtuara.
,,Parimet e mia udhëheqëse në Universitetin e Prishtinës janë në njërën anë ligjshmëria dhe meritokracia dhe në anën tjetër mostolerimi i plagjiaturës, ngacmimeve seksuale eventuale dhe korrupsionit”, ka deklaruar në mënyrë të përsëritur rektori Hajrullahu duke shtuar se: ,,Individë dhe grupe të cilëve u pengojnë këto parime udhëheqëse, mund të mjegullojnë opinionin publik në momente të caktuara me veprime hibride e përhapje të lajmeve të pavërteta, por unë i siguroj të gjithë qytetarët e Kosovës dhe gjithë komunitetin akademik se nuk do të lëkundem asnjëherë nga këto parime aq të domosdoshme për Universitetin e Prishtinës dhe jo vetëm.”
Edhe katër muaj më parë, kur pati raportime mediale në lidhje me pretendimet e ngritura për avancimin e rektorit Hajrullahu, i pari i Universitetit të Prishtinës pati dalë me një sqarim, në të cilin kishte siguruar qytetarët e Kosovës dhe gjithë komunitetin akademik se çdo avancim i tij akademik ishte bërë në mënyrë meritore, të rregullt, transparente dhe konform ligjeve dhe normave në fuqi të kohës. Rektori Hajrullahu ua kishte bërë të ditur të gjitha palëve të interesuara se CV-ja e tij është publike, duke ofruar edhe mundësinë për t’i parë dëshmitë për të gjitha palët që shprehnin interesim për një gjë të këtillë.
Po ashtu rektori dhe Kolegjiumi i Dekanëve, nëpërmjet një komunikate për media, patën konfirmuar fuqishëm transparencën e plotë rreth arritjeve, veprimtarisë kërkimore-shkencore dhe angazhimeve mësimdhënëse të komunitetit akademik.