Në mbledhjen e 12-të të Senatit të Universitetit të Prishtinës, që u zhvillua të premten e 21 shkurtit 2025, senatorët u pajtuan që në mbledhjen e jashtëzakonshme të marsit të shqyrtohet mundësia e themelimit të një komisioni të përbërë nga profesorë me integritet të lartë akademik, me detyrën për të vendosur rreth pozitës së një profesori në Fakultetin Filozofik të Universitetit të Prishtinës.
Bëhet fjalë për njërën nga pozitat e profesorit asistent në konkursin e 31 majit të vitit 2023 për të cilën kishin konkurruar gjashtë persona. Komisioni, pritet të ketë anëtarë nga Universiteti i Prishtinës dhe universitetet prestigjioze nga Britania e Madhe dhe nga Austria.
Për katër pozita të këtij konkursi, Agjencia për Parandalimin e Korrupsionit kishte konstatuar konflikt interesi, ndërsa Senati në mbledhjen e 27 nëntorit 2024 shfuqizoi avancimet deri në pikën ku nuk ekzistonte ky konflikt.
Në lidhje me Komisionin për shqyrtimin e ngritjeve akademike të rektorëve prej vitit 1999 e deri më sot, e që ende janë në marrëdhënie pune me UP-në, Senati u njoftua që ekspertëve ndërkombëtarë do u dërgohen ftesat për të qenë anëtarë të tij. Komisioni ishte propozuar në mbledhjen e 27 nëntorit 2024.
Senati miratoi njëzëri Rregulloren e përgjithshme për studimet e doktoratës dhe shqyrtoi e miratoi propozimet e njësive akademike për studimet e këtij niveli, sipas rekomandimeve nga Këshilli Qendror i Studimeve të Doktoratës. U miratuan gjithashtu edhe emrat e tre mentorëve të temave të doktoratës.
Senatorët votuan njëzëri edhe Komisionin për Mobilitete të Universitetit të Prishtinës.
Në Senat, u prezantua edhe prorektorja për zhvillim institucional, cilësi dhe çështje të studentëve, Majlinda Gjelaj, e cila së fundi iu bashkua ekipit menaxhues të UP-së.
Mbledhja e jashtëzakonshme e Senatit të Universitetit të Prishtinës, me vetëm një pikë të rendit të ditës, është paraparë të mbahet më 3 mars 2025.