Universiteti i Prishtinës dhe Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, nënshkruan sot një memorandum mirëkuptimi me të cilin krijohet një kornizë bashkëpunimi për çështjet me interes të përbashkët dhe të mirën publike.
Memorandumi parashikon aktivitete të përbashkëta dhe bashkëpunim ndërinstitucional në fushat me interes të dyanshëm. Ai synon forcimin e kapaciteteve, përmirësimin e politikave publike, përafrimin me politikat e BE-së dhe përfshirjen e dijes akademike të UP-së në mbështetje të bujqësisë, pylltarisë dhe zhvillimit rural.
Memorandumi u nënshkrua nga rektori i Universitetit të Prishtinës, prof. Arben Hajrullahu dhe ministri në detyrë i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Armend Muja.
Rektori Hajrullahu tha se të dy institucionet duhet të ndihmojnë për zhvillimin e sektorit të bujqësisë. Duke u ndërlidhur me pronat e liruara nga uzurpimi te Fakulteti i Bujqësisë dhe Veterinarisë, rektori konstatoi se nuk mjafton vetëm parandalimi i së keqes, por duhet edhe të bëhen punë të mira. Rektori theksoi se prona publike duhet të mbetet publike, e kurrsesi të lejohet uzurpimi e tjetërsimi.
Ministri Muja nënshkrimin e memorandumit e konsideroi si hap të parë shumë të rëndësishëm për të dy institucionet. Ai paralajmëroi edhe një plan pune të përbashkët për realizimin e marrëveshjes. Ministri përmendi shërbimin kombëtar të këshillimeve në bujqësi, sigurinë ushqimore dhe një qendër për paralajmërimin e hershëm të stuhive të shkaktuara nga ndryshimet klimatike, si fusha ku roli i Universitetit të Prishtinës do të jetë kyç.
Universiteti i Prishtinës me qëllimin e ofrimit të ekspertizës për punët dhe të mirën e përgjithshme publike e të shoqërisë, sivjet nënshkroi marrëveshje bashkëpunimi edhe me Ministrinë e Infrastrukturës dhe Transportit, Ministrinë e Mbrojtjes, Ministrinë e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Ministrinë e Drejtësisë, dhe Ministrinë e Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit.