Forumi „Bashkë në Shkencë” një shtëpi e dytë e diasporës akademike në UP

17 Korrik 2026
SHARE

Në Bibliotekën Kombëtare „Pjetër Bogdani”, i organizuar në kuadër të Universitetit Veror Ndërkombëtar PISU 2026, nisi edicioni i dytë i Forumit „Bashkë në Shkencë”, një platformë diskutimi e bashkëpunimi mes Universitetit të Prishtinës dhe diasporës akademike.

Forumi i organizuar nga Qendra për Studime të Avancuara e Universiteti i Prishtinës me mbështetjen e Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Diasporës dhe organizatës gjermane GIZ, nën drejtimin e profesorit Gentrit Berisha nisi me vlerësime të larta për  kontributin e personaliteteve të Kosovës që punojnë nëpër institucionet më të njohura globale të arsimit të lartë.

Rektori i Universitetit të Prishtinës, prof. Arben Hajrullahu, profesorëve të pranishëm nga diaspora akademike u tha se ne UP nuk janë mysafirë, por në shtëpinë e tyre.

Ai tregoi se tashmë në bazë të Rregullores për transferim, programin „Brain Gain” dhe rastet e nevojës së jashtëzakonshme të rekrutimit të personelit akademik, numri i të afiliuarve në UP nga diaspora i është afruar dhjetëshit. Rektori Hajrullahu bëri thirrje që Kosova dhe UP-ja ta shfrytëzojnë potencialin e jashtëzakonshëm të dijes akademike të kosovarëve të shpërndarë nëpër botë.

Drejtori i Departamentit të Diasporës në Ministrinë e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Elis Badalli, tha se shqiptarët që jetojnë jashtë vendit janë asetet më të çmuara të Kosovës.

Krenare Loxha, nga organizata gjermane GIZ, e cilësoi Universitetin e Prishtinës një institucion të shenjtë që përveç që prodhon dije, ka kontribuuar shumë edhe për lirinë e Kosovës.

Ajo më pas prezantoi një projekt të GIZ-it në lidhje me mënyrën e organizimit dhe funksionimit të Qendrës për Studime të Avancuara të UP-së, që konsiderohet shtëpia e diasporës akademike në UP, derisa profesori Gentrit Berisha foli për gjetjet dhe rekomandimet e realizuara nga edicioni i parë i Forumit „Bashkë në Shkencë”.

Pastaj profesorët e UP-së Fetah Podvorica e Kreshnik Hoti në kumtesat e tyre folën rreth përvojave të fituara në universitetet jashtë vendit dhe vendimin për t’u kthyer në universitetin e vendlindjes.

Forumi „Bashkë në Shkencë” vazhdoi me një tryezë dhe dy panele diskutimi ku u fol për perspektivën dhe strategjitë e bashkëpunimit mes UP-së dhe diasporës akademike kosovare dhe rolin e studentëve shqiptarë në botë për promovimin e Universitetit të Prishtinës dhe shtetit të Kosovës.

Edicioni i parë i Forumit „Bashkë në Shkencë” u zhvillua nëntor  të vitit 2025. Pasqyrimin medial të Forumit „Bashkë në Shkencë” në disa media, munda ta ndiqni në vegëzatvijim.