Dita 9 në PISU: Inteligjencë artificiale, art dhe sport

15 Korrik 2026
SHARE

Krahas programit të rregullt të kurseve, që vazhdoi gjatë paradites në fakultetet e Universitetit të Prishtinës, dita e nëntë e Universitetit Ndërkombëtar Veror të Prishtinës (PISU) solli aktivitete që ndërthurën diskutimet mbi inteligjencën artificiale dhe integritetin akademik, njohjen me artin dhe kulturën e Kosovës, si dhe sportin.

Në hapësirat e Europe House, si pjesë e programit mbështetës që Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë po i ofron sivjet PISU-së, u mbajt punëtoria “Direktivat e BE-së për Inteligjencën Artificiale, Privatësinë dhe Integritetin Akademik”, e udhëhequr nga prof. Dren Gërguri, profesor në Departamentin e Gazetarisë në Universitetin e Prishtinës.

Punëtoria trajtoi parimet themelore të Aktit të BE-së për Inteligjencën Artificiale, mbrojtjen e të dhënave personale, përfitimet dhe rreziqet e këtyre teknologjive, si dhe nevojën për transparencë dhe përdorim të përgjegjshëm. Prof. Gërguri theksoi se inteligjenca artificiale tashmë është pjesë e pandashme e jetës së përditshme, ndërsa sfida kryesore mbetet mënyra se si njerëzit zgjedhin ta përdorin atë.

Vëmendje e veçantë iu kushtua ndikimit të inteligjencës artificiale në integritetin akademik. Pjesëmarrësit diskutuan për përdorimin e mjeteve të AI-së gjatë përgatitjes së detyrave dhe punimeve akademike, si dhe për nevojën që ato të shërbejnë si mjete mbështetëse, pa e zëvendësuar mendimin kritik dhe punën e pavarur.

Duru, studente nga Turqia, vlerësoi se inteligjenca artificiale mund të jetë shumë e dobishme, por nuk duhet ta zëvendësojë mendimin njerëzor. Ndërsa Dren Hoxha, student në Universitetin e Prishtinës, foli për dallimet ndërmjet nivelit të rregullimit të inteligjencës artificiale në Kosovë dhe në Bashkimin Evropian, ku zbatohen rregulla dhe standarde më të përcaktuara.

Në kuadër të programit të ditës, studentët ndërkombëtarë vizituan edhe Galerinë Kombëtare të Kosovës, e cila, pas përfundimit të punimeve të renovimit, u rihap më 9 korrik me ekspozitën “Jo gjithë njerëzit ekzistojnë në të tashmen e njëjtë”.

Koordinatorja e Programit të Edukimit, Vlora Hajdini Hajrullahu, prezantoi rëndësinë e afrimit të publikut me historinë e artit në Kosovë dhe me periudhat më të rëndësishme të krijimtarisë artistike në vend. Ajo foli gjithashtu për programet edukative të Galerisë, të cilat përfshijnë ture të udhëhequra, punëtori krijuese, takime me artistë dhe aktivitete të veçanta për fëmijë gjatë fundjavave.

Mara Schell, studente nga Drake University në Shtetet e Bashkuara, vlerësoi veprat dhe domethënien e tyre, duke theksuar se arti ofron një mënyrë të veçantë për të njohur historinë dhe kulturën e një vendi. Ndërsa, Jon Dobruna, student në Universitetin e Prishtinës, e përshkroi vizitën si një pasqyrim të gjallë të kulturës shqiptare. Atij i lanë përshtypje të veçantë peizazhet dhe skenat e jetës rurale, të cilat i rikthyen kujtime nga fshati dhe familja e tij, ndërsa instalacioni me materiale plastike në hyrje e nxiti të reflektojë mbi çështjet mjedisore dhe ndikimin e tyre në jetën e përditshme.

Si çdo vit, në kuadër të PISU-së u organizua edhe turneu tradicional sportiv për studentët dhe profesorët pjesëmarrës, në fushat e hapura të Fakultetit të Edukimit Fizik dhe të Sportit. Në një atmosferë miqësore dhe dinamike, pjesëmarrësit garuan në volejboll, futboll dhe basketboll. Turneu u mirëprit si një mundësi për t’u shkëputur nga ritmi intensiv i ligjëratave, për t’u kujdesur për shëndetin dhe për të forcuar shoqërimin ndërmjet studentëve dhe profesorëve të Universitetit Veror.