Dita e tetë në PISU: Nga forenzika dhe demokracia te Nata Ndërkombëtare

14 Korrik 2026
SHARE

Në ditën e tetë të Universitetit Ndërkombëtar Veror të Prishtinës (PISU), studentët vazhduan me ligjërata, aktivitete praktike dhe diskutime mbi forenzikën, demokracinë, barazinë gjinore, kujtesën historike dhe identitetin. Dita u përmbyll me Natën Ndërkombëtare, një aktivitet tradicional i PISU-së që bashkoi studentë, profesorë dhe përfaqësues të institucioneve evropiane.

Në Fakultetin e Shkencave Matematike-Natyrore, studentët vazhduan ligjëratat intensive në kursin “Introduction to Forensic Science”, të udhëhequr nga dr. Aleksandar Radu, profesor i asociuar i kimisë analitike në University of Lincoln në Mbretërinë e Bashkuar, dhe dr. Albana Veseli, profesoreshë në Departamentin e Kimisë në Universitetin e Prishtinës.

Gjatë aktivitetit praktik, studentët prezantuan procesin e marrjes së mostrave në një skenë të simuluar krimi, duke shpjeguar hap pas hapi procedurat që duhet të ndjekë një ekspert i forenzikës. Procesi përfshinte mbërritjen në vendin e ngjarjes, kuptimin e rrethanave, kufizimin e vendngjarjes, identifikimin e gjurmëve të gishtërinjve dhe provave të tjera, si dhe paketimin, etiketimin dhe analizimin laboratorik të mostrave.

Prof. Radu i njohu studentët me historikun e analizës së ADN-së dhe me provat biologjike që mund të ndihmojnë në hetimin e një krimi. Prof. Veseli theksoi se një kurs dyjavor nuk mund të formojë ekspertë të forenzikës, por mund t’u ofrojë studentëve njohuri të rëndësishme mbi marrjen dhe trajtimin e provave, analizimin e mostrave të gjakut dhe materialeve të tjera biologjike. Studenti Erblin Berisha u shpreh i kënaqur me aktivitetin praktik dhe njohuritë e fituara gjatë kursit.

Në kuadër të programit të PISU-së, në Fakultetin Filozofik u mbajt edhe konferenca “Demokracia 2.0 – Barazia Gjinore dhe të Drejtat e Njeriut”, me pjesëmarrjen e ish-presidentes së Republikës së Kosovës, Atifete Jahjaga, e cila shërbeu si presidente e vendit nga viti 2011 deri më 2016. Konferenca u moderua nga dr. Merita Limani, mësimdhënëse në University of Western Ontario, në Kanada.

Gjatë diskutimit, Jahjaga ndau me studentët rrugëtimin e saj deri në zgjedhjen si presidente konsensuale e Republikës së Kosovës, duke rikujtuar sfidat politike dhe institucionale të asaj periudhe. Ajo foli edhe për përgjegjësitë dhe presionet me të cilat u përball si gruaja e parë presidente e Kosovës, duke theksuar rëndësinë e lidershipit të bazuar në integritet, përkushtim dhe shërbim ndaj qytetarëve.

Një pjesë e rëndësishme e diskutimit iu kushtua të drejtave të grave dhe barazisë gjinore. Përmes përvojave të saj, Jahjaga foli për sfidat me të cilat vazhdojnë të përballen gratë në Kosovë dhe në botë, duke nënvizuar se mbrojtja e të drejtave të tyre është përgjegjësi e përbashkët e institucioneve dhe e shoqërisë. Ajo gjithashtu theksoi rolin e rinisë në zhvillimin e një shteti demokratik dhe i inkurajoi studentët të jenë aktivë në jetën publike dhe të kontribuojnë në ndërtimin e institucioneve të forta dhe të besueshme.

Diskutimi u zhvillua në formë bashkëbisedimi, duke u dhënë studentëve mundësinë të parashtrojnë pyetje mbi udhëheqjen, demokracinë dhe fuqizimin e grave. Studentja Reha Moran nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës tha se ishte veçanërisht e impresionuar nga thjeshtësia e Jahjagës në udhëheqje, përkushtimi i saj për forcimin e institucioneve të besueshme dhe angazhimi për fuqizimin e grave. Në përfundim, ish-presidentja theksoi se demokracia e qëndrueshme ndërtohet përmes pjesëmarrjes së barabartë të të gjithë qytetarëve, përfshirë gratë, të rinjtë dhe grupet e margjinalizuara.

Programi vazhdoi me punëtorinë e dr. Ayça Baydar, ligjëruese në Departamentin e Historisë në Universitetin e Kastamonu në Turqi. Punëtoria me temën “Nga Perandoria te Shteti-Komb: Kujtesa, migrimi dhe identiteti” trajtoi rolin e kujtesës historike dhe migrimit në formimin e identiteteve kombëtare.

Dr. Baydar ndau me studentët reflektime mbi përvojat historike të rajonit, përplasjet etnike dhe shpërbërjen e bashkëjetesës në Perandorinë Osmane. Ajo shpjegoi se kujtesa historike formësohet nga historianët dhe narrativat kombëtare, ndaj shoqëri të ndryshme mund ta kujtojnë në mënyra të ndryshme të njëjtën të kaluar. Punëtoria i nxiti studentët të reflektojnë mbi mënyrën se si Perandoria Osmane u shndërrua në shtete-kombe dhe mbi pasojat e dhimbshme të këtij procesi.

Studentët ndërkombëtarë vlerësuan mundësinë për të diskutuar mbi ngritjen dhe rënien e Perandorisë Osmane, perspektivat gjinore dhe historinë e shtetit modern turk. Alexandros Stylianidis nga Universiteti Demokriti i Thrakës në Greqi falënderoi UP-në për organizimin e punëtorive që ua zgjerojnë studentëve horizontet. Ndërkaq, Klodiana Starova nga Universiteti i Elbasanit “Aleksandër Xhuvani” e cilësoi punëtorinë si një mundësi të vlefshme për gjeneratën e re, duke vlerësuar faktin se PISU bashkon studentë nga vende të ndryshme, të cilët sjellin me vete kulturën dhe perspektivat e tyre.

Në mbrëmje u organizua Nata Ndërkombëtare, një traditë e Universitetit Veror të Prishtinës, e cila këtë vit u realizua në bashkëpunim me Europe House Kosovo, me mbështetjen e Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë. Aktiviteti bashkoi studentë nga Kosova, rajoni dhe vende të ndryshme të Evropës, duke krijuar hapësirë për dialog, rrjetëzim dhe shkëmbim kulturor.

Të pranishmëve iu drejtuan me fjalë rasti rektori i UP-së, prof. Arben Hajrullahu, dhe Laura Fallavollita, udhëheqëse e Zyrës për Qeverisje të Mirë dhe Kapital Njerëzor në Zyrën e Bashkimit Evropian në Kosovë. Përfaqësues të institucioneve dhe ambasadave evropiane prezantuan mundësi për studime, bursa dhe mobilitet akademik në vendet e Bashkimit Evropian. Kjo mbrëmje kishte për qëllim të vinte në pah, rolin e arsimit dhe shkëmbimit kulturor në fuqizimin e brezit të ri dhe në thellimin e lidhjeve të Kosovës me BE-në. Mbrëmja vijoi në një atmosferë festive dhe miqësore, me muzikë të interpretuar nga bendi i udhëhequr nga profesori i UP-së, Dukagjin Muhaxhiri.