UPWARD Student Film Festival përmbyll edicionin e tretë duke kurorëzuar talentet e reja të kinemasë botërore

13 Korrik 2026
SHARE

Me ceremoninë e ndarjes së çmimeve dhe shpalljen e fituesve u përmbyll edicioni i tretë i UPWARD Student Film Festival, i organizuar nga Fakulteti i Arteve i Universitetit të Prishtinës.

Festivali, i mbajtur nga 8 deri më 11 korrik 2026, e shndërroi Prishtinën në një pikëtakim të autorëve të rinj, studentëve të filmit, profesorëve universitarë dhe profesionistëve të kinemasë nga vende të ndryshme të botës.

Edicioni i sivjetmë shënoi interesim të lartë ndërkombëtar. Nga gjithsej 1424 aplikime, në Programin Zyrtar u përzgjodhën 69 filma nga 36 shtete, të cilët u shfaqën gjatë katër ditëve të festivalit.

Ceremonia përmbyllëse nisi me shfaqjen e filmit “Këmbana që s’ra”, me skenar dhe regji të Majlind Belulit. Pas shfaqjes, ekipi i filmit u ftua në skenë dhe u përshëndet nga publiku, ndërsa ceremonia vazhdoi me ndarjen e çmimeve për filmat, regjisorët dhe interpretuesit më të dalluar të këtij edicioni.

Fituesit u përzgjodhën nga tri panele profesionale. Jurinë e Medias e përbënin Mirjeta Baraliu, Arta Berisha dhe Ardiana Thaçi-Mehmeti. Juria e Universitetit përbëhej nga Prof. Assoc. Dr. Albana Berisha, Prof. Assoc. Dr. Avni Puka dhe Prof. Assoc. Dr. Abdulla Rexhepi, ndërsa në Jurinë Ndërkombëtare ishin Agron Domi, Agnes Nokshiqi dhe Ricardo Spencer.

Çmimi i Jurisë së Medias – The Critical Eye Award iu nda filmit “Këmbana që s’ra”, me regji të Majlind Belulit nga Kosova.

Juria e Medias ndau gjithashtu dy përmendje të veçanta. Filmi “Soma”, i regjisores Aliza Brugger nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, u vlerësua për trajtimin emocional të marrëdhënies ndërmjet dy gjysmëmotrave, si dhe për fotografinë, muzikën dhe montazhin, të cilat krijojnë një atmosferë të fuqishme dhe e mbajnë shikuesin të përfshirë nga fillimi deri në fund.

Përmendje e veçantë iu dha edhe filmit të animuar “(DIS)CONNECTED”, të autorit Yoni nga Bullgaria, për mënyrën metaforike të trajtimit të vetmisë, ankthit social dhe izolimit të njeriut bashkëkohor. Filmi vë në pah paradoksin e një shoqërie gjithnjë e më të lidhur përmes teknologjisë, por në të cilën individi vazhdon të përjetojë vetmi dhe tjetërsim.

Çmimi i Universitetit – The University Spirit Award iu nda filmit “The Egotist”, me regji të Alice M. Horta nga Portugalia.

Sipas Jurisë së Universitetit, filmi u përzgjodh për eksplorimin bindës të identitetit dhe vetëreflektimit, të paraqitur përmes një vizioni të fuqishëm artistik dhe realizimi të dalluar teknik. Filmi pasqyron vitalitetin intelektual dhe frymën krijuese që qëndrojnë në themel të traditës universitare, duke afirmuar njëkohësisht vlerat e komunitetit, dialogut dhe angazhimit kulturor.

Në kuadër të çmimeve të Jurisë Ndërkombëtare, çmimi për Regjinë më të Mirë iu nda regjisorit Mateo Di Tommaso për filmin “Under an Ancient Skin” nga Argjentina.

Çmimi për Interpretimin më të Mirë iu nda aktores Wioletta Kopańska për interpretimin e saj në filmin “The Good Woman” nga Gjermania.

Çmimin për Interpretimin më të Mirë e dorëzoi Prorektorja për Ndërkombëtarizim dhe Shkëmbim Akademik e Universitetit të Prishtinës, Prof. Asst. Dr. Rozafa Basha.

Juria Ndërkombëtare ndau gjithashtu dy përmendje të veçanta. Njëra iu dha filmit “Këmbana që s’ra”, me regji të Majlind Belulit nga Kosova, ndërsa tjetra filmit “(DIS)CONNECTED”, të autores Yoni nga Bullgaria.

Çmimi kryesor i festivalit, Grand Prix UPWARD – The Rising Film Award, iu nda filmit “Branches of Solace”, me regji të Joyanta Kumar Gayen nga Bangladeshi.

Çmimin për filmin më të mirë studentor e dorëzoi Dekani i Fakultetit të Arteve, Prof. Dr. Hazir Haziri, i cili përgëzoi fituesit dhe të gjithë autorët pjesëmarrës për punën, përkushtimin dhe kontributin e tyre në edicionin e tretë të festivalit.

Përmes shfaqjeve të filmave, diskutimeve me autorët, ligjëratave, masterklasave dhe aktiviteteve të tjera profesionale, UPWARD Student Film Festival krijoi një hapësirë për shkëmbimin e përvojave, ideve dhe praktikave ndërmjet studentëve, profesorëve dhe profesionistëve të filmit.

Edicioni i tretë u mbyll me fotografinë e përbashkët të fituesve, anëtarëve të jurive, organizatorëve dhe mysafirëve, duke konfirmuar synimin e festivalit për të vazhduar mbështetjen, promovimin dhe ndërkombëtarizimin e krijimtarisë së gjeneratave të reja të kineastëve.

UPWARD Student Film Festival u organizua nga Fakulteti i Arteve i Universitetit të Prishtinës, me mbështetjen e Qendrës Kinematografike të Kosovës, Prishtina International Summer University – PISU 2026, Ministrisë së Kulturës, Ambasadës së Italisë në Prishtinë dhe Kinemasë ABC.