Gjatë edicionit të 26-të të Universitetit Veror Ndërkombëtar të Prishtinës, patëm kënaqësinë të mirëpresim kolegë nga universitete të ndryshme evropiane, me të cilët Universiteti i Prishtinës bashkëpunon në kuadër të programit Erasmus+.
Me qëllim të informimit sa më të detajuar të studentëve për mundësitë e studimit një semestër jashtë vendit, Zyra për Marrëdhënie me Jashtë, në bashkëpunim me kolegët nga Universiteti Evropian Viadrina nga Gjermania dhe Konsorciumi PEERS nga Portugalia, organizoi një sesion informues.
Gjatë këtij sesioni, znj. Ana Retsch dhe znj. Rita Olivera prezantuan mundësitë e studimit dhe shkëmbimit në kuadër të programit Erasmus+, duke iu përgjigjur edhe pyetjeve të shumta të studentëve, të cilët treguan interesim të jashtëzakonshëm për programet e shkëmbimeve ndërkombëtar.
Universiteti i Prishtinës mbetet i përkushtuar në krijimin e mundësive të reja ndërkombëtare për studentët e tij dhe në fuqizimin e bashkëpunimit me partnerët evropianë.
