Dita e pestë e Universitetit Ndërkombëtar Veror të Prishtinës (PISU) vazhdoi me kurse, ligjërata dhe punëtori në fakultete të ndryshme të Universitetit të Prishtinës, duke trajtuar tema që lidhen me sigurinë kibernetike, inteligjencën artificiale, të drejtën, ekonominë dhe mbrojtjen e mjedisit.
Në Fakultetin e Inxhinierisë Elektrike dhe Kompjuterike, dr. Josh Brunty, profesor i Forenzikës dhe Sigurisë Kibernetike në Marshall University dhe udhëheqës i kërkimeve në Institutin e Sigurisë Kibernetike, së bashku me prof. Blerim Rexhën nga Universiteti i Prishtinës, ligjëruan mbi sfidat bashkëkohore të sigurisë digjitale.
Prof. Brunty theksoi se ndër kërcënimet më serioze janë sulmet ndaj infrastrukturës kombëtare, pasi ato mund të prekin shërbimet bazë, si furnizimi me ujë, energji elektrike dhe gaz. Ai nënvizoi se instalimi i një programi antivirus nuk është i mjaftueshëm për mbrojtjen e të dhënave personale dhe se përdoruesit duhet të jenë më të kujdesshëm ndaj email-eve mashtruese, t’i kuptojnë rreziqet digjitale dhe t’i raportojnë sulmet tek autoritetet përkatëse. Duke folur për inteligjencën artificiale, ai vlerësoi se ajo po e përshpejton njëkohësisht zhvillimin e mekanizmave mbrojtës dhe krijimin e sulmeve të reja.
Prof. Blerim Rexha tha se Kosova ende nuk ka një raport të detajuar mbi sulmet kibernetike, por përballet me të njëjtat trende si vendet e tjera. Sipas tij, ndër sulmet më të shpeshta janë phishing-u përmes email-eve dhe mesazheve, si dhe sulmet DDoS ndaj shërbimeve online, ndërsa bankat mbeten ndër objektivat më tërheqëse për shkak të mundësisë së përfitimit të drejtpërdrejtë financiar.
Për rëndësinë e njohurive bazë mbi sigurinë digjitale folën edhe studentët pjesëmarrës. Rizonë Hyseni, studente në Fakultetin e Inxhinierisë Elektrike dhe Kompjuterike, tha se pothuajse çdo përdorues i internetit është përballur ose ka qenë i ekspozuar ndaj ndonjë forme të kërcënimit kibernetik. Leo, student nga Spanja, theksoi se edhe personat që nuk merren profesionalisht me këtë fushë duhet të kenë njohuri bazë për mbrojtjen e të dhënave dhe përdorimin e sigurt të internetit.
Në Fakultetin Ekonomik vazhdoi kursi “E drejta, ekonomia dhe inteligjenca artificiale”, i udhëhequr nga Prof. (FH) Dr. Armin J. Kammel nga Webster Vienna Private University dhe Prof. Asoc. Dr. Mjellma Carabegu-Vokshi nga Universiteti i Prishtinës. Ligjëratat u përqendruan në ndikimin e ekonomisë digjitale, inteligjencës artificiale dhe teknologjive të reja në kornizat tradicionale juridike. U diskutua për globalizimin e komunikimit, hapësirën kibernetike, metaversin dhe sfidat që lidhen me përgjegjësinë juridike të sistemeve të inteligjencës artificiale.
Prof. Kammel theksoi se çështja e përgjegjësisë dhe e personalitetit juridik të inteligjencës artificiale do të ketë ndikim të rëndësishëm edhe në të drejtën kontraktore. Nick, student nga Holanda, vlerësoi se zhvillimi i shpejtë i inteligjencës artificiale do ta ndryshojë mënyrën e funksionimit të ekonomisë dhe drejtësisë, ndërsa nënvizoi rëndësinë e mbrojtjes dhe menaxhimit të të dhënave personale. Dorutea, studente nga Bullgaria, theksoi se e drejta përbën një bazë të rëndësishme për zhvillimin e teknologjisë dhe biznesit.
Gjatë ditës u përmbyll edhe Programi Veror i Shkëmbimit Kulturor, i organizuar në kuadër të PISU-s nga Universiteti i Prishtinës, në bashkëpunim me Rotary Club Intercountry Committee Germany–Kosovo. Pas katër ditësh pune, 21 studentë nga vende të ndryshme të Evropës prezantuan ide për reduktimin e ndotjes nga plastika dhe përmirësimin e menaxhimit të mbeturinave në Prishtinë. Propozimet e tyre përfshinin ridizajnimin e kontejnerëve, përdorimin e shportave inteligjente, aplikacione edukative dhe sisteme shpërblyese për t’i nxitur qytetarët, veçanërisht fëmijët dhe të rinjtë, të përfshihen më shumë në riciklim dhe në pastrimin e qytetit.
Prorektorja për Ndërkombëtarizim dhe Shkëmbim Akademik, prof. Rozafa Basha, theksoi se ndotja nga plastika nuk është vetëm problem mjedisor, por lidhet edhe me mënyrën se si planifikohen qytetet, menaxhohen hapësirat publike dhe dizajnohet infrastruktura. Eric McKinlay nga Rotary Club vlerësoi punën dhe bashkëpunimin e studentëve gjatë zhvillimit të ideve. Në përfundim, pjesëmarrësit u pajisën me certifikata dhe dhurata të personalizuara.
Pasdite, si aktivitet i veçantë në kuadër të PISU 2026, Universiteti i Prishtinës, në bashkëpunim me Qeverinë e Republikës së Kosovës dhe Bordin për Shkëmbime Arsimore Kosovë–SHBA (USKEB), shënoi 250-vjetorin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës me një aktivitet kushtuar demokracisë, marrëdhënieve Kosovë–SHBA dhe rolit të shkëmbimeve arsimore.
Në hapje folën rektori i Universitetit të Prishtinës, prof. Arben Hajrullahu, kryeministri në detyrë Albin Kurti, ushtruesja e detyrës së zëvendësshefes së misionit në Ambasadën e SHBA-së, Wylita Bell, si dhe Audrey Coleman nga Instituti Dole, përmes një video-mesazhi.
Në panelin e parë, me temën “250-vjetori i Shteteve të Bashkuara – 250 vjet si një pishtar i demokracisë për botën”, u diskutua për historinë e demokracisë amerikane, ndikimin e saj global dhe marrëdhëniet Kosovë–SHBA. Pjesëmarrës në panel ishin Avni Spahiu, ambasadori i parë i Republikës së Kosovës në SHBA, Prof. Asst. Luljeta Plakolli-Kasumi nga Universiteti i Prishtinës dhe anëtare e bordit të USKEB, si dhe Dr. Melanie Schoeffner, profesoreshë në James Madison University. Paneli u moderua nga Ilir Hajra, alumnus i Programit Fulbright.
Paneli i dytë u përqendrua në ndikimin e shkëmbimeve arsimore në forcimin e partneriteteve, mirëkuptimit të ndërsjellë dhe lidhjeve afatgjata ndërmjet komuniteteve. Ai u moderua nga Gjeni Shporta dhe Nora Nimani Musa nga USKEB, ndërsa në diskutim morën pjesë rektori prof. Arben Hajrullahu, zëvendësministri Përparim Kryeziu, alumni të programeve të shkëmbimit, si dhe profesorë dhe studentë amerikanë pjesëmarrës në PISU.
Dita u përmbyll në Europe House me aktivitetin “Karaoke Night”, i cili mblodhi një numër të madh studentësh të PISU-së në një atmosferë të gjallë dhe festive. Aktiviteti është pjesë e mbështetjes që Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë po i ofron këtë vit Universitetit Ndërkombëtar Veror të Prishtinës.