Si pjesë e programit të Universitetit Ndërkombëtar Veror të Prishtinës (PISU), në Fakultetin e Arteve është duke u mbajtur kursi “Hyrje në konceptet e endjes”, i udhëhequr nga Monica Cruz de Gusmao Correia, profesoreshë dhe udhëheqëse e Programit të Dizajnit 3D në Universitetin e Iowa-s, SHBA, dhe Prof. Burim Arifi nga Fakulteti i Arteve i Universitetit të Prishtinës.
Kursi synon t’i prezantojë studentët me bazat e endjes si aftësi praktike dhe formë arti, duke kombinuar praktikën me eksplorimin krijues. Ai gjithashtu nxit vlerësimin e endjes si formë e shprehjes artistike dhe e trashëgimisë kulturore. “Gjëja e parë me të cilën kemi kontakt kur dalim nga barku i nënës është një batanije; pra, tekstili na shoqëron gjatë gjithë kohës”, tha profesoresha Correia.
Përmes përdorimit të veglave, materialeve dhe teknikave të ndryshme të endjes, studentët po zhvillojnë punime personale dhe po njihen me konceptet bazë të tekstilit. Correia tha se përvoja e saj në Kosovë deri më tani ka qenë shumë e këndshme. “Deri tani e kam shijuar shumë. Ushqimi është i mrekullueshëm, ndërsa njerëzit janë shumë të ngrohtë”, theksoi ajo.
Kursi ka tërhequr edhe studentë ndërkombëtarë. Studentja Taylor Monet Pennix nga SHBA tha se e ka zgjedhur këtë kurs sepse është ndryshe nga të tjerët dhe njëkohësisht argëtues. Ndërsa studentja nga Universiteti i Nju Jorkut në Tiranë tha se kursi i mundëson të lidhë dizajnin e interierit me tekstilin dhe kreativitetin.
Gjatë ditës u mbajt edhe punëtoria e udhëhequr nga Prof. Asoc. Dr. Mirjam Palsma nga Universiteti Hanze në Holandë dhe Prof. Asoc. Dr. Pranvera Breznica-Selmani nga Fakulteti i Mjekësisë i Universitetit të Prishtinës. Në kuadër të kësaj punëtorie u trajtua tema e “Trajtimit paliativ”, një qasje kujdesi mjekësor që përdoret për pacientët me sëmundje terminale dhe që synon përmirësimin e cilësisë së jetës së tyre. Studentëve të Mjekësisë dhe Farmacisë iu shpjegua rëndësia e këtij trajtimi, si në aspektin profesional, ashtu edhe në dimensionin njerëzor të kujdesit shëndetësor.
Përmes aktiviteteve praktike, studentët u ftuan ta vendosnin veten në pozitën e pacientit dhe të reflektonin mbi ndjeshmërinë, komunikimin dhe punën në grup. Dr. Palsma veçoi se qëllimi kryesor i punëtorisë ishte që studentët të ndihen të lirë të bëjnë pyetje të ndjeshme dhe të kuptojnë rëndësinë e bashkëpunimit në profesionin e tyre të ardhshëm.
Punëtoria pasuese ishte ajo e Jason A. Laker, profesor i Arsimit të Lartë, Çështjeve Studentore dhe Zhvillimit të Komunitetit në Universitetin Shtetëror të San Jose-s, Kaliforni, SHBA. Ai udhëhoqi punëtorinë “Gjinia, burrat dhe maskulinitetet”, ku u trajtuan tema si mesazhet gjinore, ndërtimi social i maskulinitetit, dhuna, seksizmi, privilegji dhe frika nga femininiteti.
Profesori Laker theksoi se patriarkati ka pasoja jo vetëm te gratë, por edhe te burrat, duke e lidhur diskutimin me zhvillimin personal dhe me marrëdhëniet kundër dhunës me bazë gjinore. Studentët ndërkombëtarë dhe vendorë diskutuan mbi pritshmëritë që shoqëria vendos mbi burrat dhe ndikimin e tyre në marrëdhëniet shoqërore.
Gjatë ditës, studentët e kurseve “Gjinia, migrimi dhe diaspora” dhe “Demokracia 2.0: Gjinia, pushteti dhe të drejtat e njeriut”, së bashku me mësimdhënësit e tyre, Prof. Vjollca Krasniqi, Dr. Dafina Paca, Dr. Merita Limani, u pritën nga znj. Edi Gusia, drejtoreshë ekzekutive e Agjencisë për Barazi Gjinore pranë Zyrës së Kryeministrit. Gjatë takimit u diskutua për kornizën institucionale dhe ligjore për barazinë gjinore, rolin e ABGJ-së në hartimin e politikave publike, Planin për Barazi Gjinore, përfaqësimin politik të grave, pjesëmarrjen e tyre në ekonomi, dhunën me bazë gjinore, të drejtën në pronë dhe trashëgimi, si dhe masat afirmative për fuqizimin e grave dhe vajzave.
Me aktivitete që lidhën artin, kujdesin shëndetësor, reflektimin kritik dhe barazinë gjinore, dita e katërt e PISU-së dëshmoi edhe një herë karakterin ndërdisiplinor dhe ndërkombëtar të këtij programi.