Vazhdon me sukses procesi i provimeve pranuese në Universitetin e Prishtinës

09 Korrik 2026
SHARE

Universiteti i Prishtinës ka vazhduar sot me organizimin e provimeve pranuese në katër njësi akademike: Fakultetin e Edukimit, Fakultetin Ekonomik, Fakultetin e Filologjisë dhe Fakultetin e Inxhinierisë Elektrike dhe Kompjuterike (FIEK). Në këto katër njësi akademike kanë aplikuar rreth 3000 kandidatë, të cilët synojnë të bëhen pjesë e komunitetit akademik të universitetit më të madh publik në vend.

Për të parë nga afër mbarëvajtjen e procesit të pranimit, prorektoret e Universitetit të Prishtinës, prof. Majlinda Gjelaj dhe prof. Albana Berisha-Qehaja, vizituan njësitë akademike ku po zhvilloheshin testimet.

Gjatë vizitës, prorektoret u informuan për organizimin e procesit dhe përgëzuan komisionet për angazhimin, profesionalizmin dhe përkushtimin në zhvillimin e provimeve pranuese sipas standardeve të përcaktuara. Njëkohësisht, ata i përgëzuan kandidatët për zgjedhjen e Universitetit të Prishtinës dhe të njësive akademike ku kanë aplikuar, të njohura për ekselencën akademike, stafin e kualifikuar, programet cilësore të studimit dhe përgatitjen e kuadrove të afta për tregun e punës dhe zhvillimin e vendit. 

Prorektorët u uruan suksese të gjithë kandidatëve, duke shprehur besimin se shumë prej tyre do t'i bashkohen komunitetit akademik të Universitetit të Prishtinës si studentë të rinj dhe do të kontribuojnë në vazhdimin e traditës së suksesit të universitetit më të madh publik në Kosovë.

Procesi i provimeve pranuese do të vazhdojë edhe të shtunën, më 11 korrik, në Fakultetin e Mjekësisë, ku kanë aplikuar mbi 2,000 kandidatë që aspirojnë të ndjekin studimet për profesionin e mjekut dhe profesione të tjera të shkencave shëndetësore. Numri i lartë i aplikantëve dëshmon interesimin e vazhdueshëm të të rinjve për studimet në fushën e mjekësisë dhe besimin e tyre në cilësinë e programeve që ofron Universiteti i Prishtinës.

Universiteti i Prishtinës mbetet institucioni më i madh dhe më i suksesshëm publik i arsimit të lartë në vend, i përkushtuar për të ofruar studime cilësore dhe një mjedis akademik që nxit zhvillimin akademik, profesional dhe shkencor të brezave të rinj.

Universiteti u uron suksese të gjithë kandidatëve në procesin e pranimit dhe mirëseardhje studentëve të ardhshëm të Universitetit të Prishtinës.