Dita e tretë e PISU 2026 me punëtori, film studentor dhe Natën Tradicionale

09 Korrik 2026
SHARE

Dita e tretë e Universitetit Ndërkombëtar Veror të Prishtinës (PISU) vazhdoi me kurset e rregullta që mbahen gjatë paradites, si dhe me punëtoritë që kanë filluar në ditët e para të programit. Gjatë kësaj dite nisi edhe punëtoria “Leximi i vlerave të vendeve historike”, e udhëhequr nga Assoc. Prof. Dr. Lana Kudumović nga Universiteti Teknik i Stambollit dhe Prof. Dr. Florina Jerliu nga Universiteti i Prishtinës, e cila u mbajt në Modelariumin e Fakultetit të Arkitekturës.

Punëtoria trajtoi rëndësinë e identifikimit, leximit dhe interpretimit të vlerave të trashëgimisë kulturore, duke përfshirë si komponentët e prekshëm, ashtu edhe ata të paprekshëm që ndikojnë në mënyrën se si hapësirat historike kuptohen dhe përjetohen. Gjatë diskutimeve, pjesëmarrësit reflektuan mbi rëndësinë e ruajtjes së traditave dhe trashëgimisë kulturore, si dhe mbi mënyrën se si në disa pjesë të Prishtinës tradita dhe moderniteti ndërthuren natyrshëm, duke krijuar përvoja të veçanta për studentët ndërkombëtarë.

Punëtoria do të vazhdojë edhe më 9 korrik, kur studentët do të punojnë në grupe për të analizuar mënyrën se si përjetohet një pjesë e caktuar e kryeqytetit, përmes arkitekturës, teksturës urbane, atmosferës dhe ndërveprimeve shoqërore në kohë të ndryshme të ditës.

Në kuadër të aktiviteteve të ditës të PISU-së, në Kino ABC u hap edhe edicioni i tretë i UPWard Festival, Festivalit Ndërkombëtar të Filmit Studentor, me shfaqjen e filmit “Magi”, me regji të Brikena Elshanit. Në ceremoninë e hapjes morën pjesë rektori i Universitetit të Prishtinës, Prof. Arben Hajrullahu, prorektorë, dekani i Fakultetit të Arteve, Prof. Hazir Haziri, staf akademik dhe studentë pjesëmarrës të PISU-së.

Në fjalën e tij, rektori Hajrullahu vlerësoi punën, përkushtimin dhe kreativitetin e studentëve të Fakultetit të Arteve, duke i inkurajuar ata të vazhdojnë të zhvillojnë talentin dhe shprehjen e tyre artistike. Pas shfaqjes së filmit, aktorja Erza Sejdiu, e cila interpreton rolin e Magit, ndau me të pranishmit përvojën e saj në këtë rol dhe foli për lidhjen emocionale me karakterin, i cili pasqyron sfidat, ndjeshmërinë dhe forcën e shumë vajzave të reja.

UPWard Festival, do të vazhdojë edhe gjatë ditëve në vijim. Në programin zyrtar të këtij edicioni janë përzgjedhur 69 filma nga e gjithë bota, nga rreth 1430 aplikime, të cilët do të garojnë për çmimet e festivalit.

Në mbrëmje, në orën 19:00, siç është tashmë traditë në kuadër të PISU-së, u mbajt Nata Tradicionale, një aktivitet që synon t’u ofrojë studentëve dhe profesorëve vendorë dhe ndërkombëtarë një përjetim të afërt me kulturën, traditat dhe mikpritjen tonë.

Këtë vit, Nata Tradicionale u organizua nën qiell të hapur, në oborrin para Bibliotekës Kombëtare të Kosovës “Pjetër Bogdani”. Pjesëmarrësit patën rastin të shijojnë programin artistik të Ansamblit Kombëtar të Këngëve dhe Valleve “Shota”, i cili solli një pjesë të pasur të trashëgimisë sonë kulturore përmes këngës, vallëzimit dhe veshjeve tradicionale.

Krahas programit artistik, të pranishmit shijuan ushqime tradicionale dhe morën pjesë në lojëra e aktivitete kulturore, përmes të cilave mësuan më shumë për Kosovën, kulturën tonë dhe disa fjalë në gjuhën shqipe. Këto aktivitete u organizuan nga Prof. Blerta Mustafa dhe stafi i Departamentit të Gjuhës dhe Letërsisë Angleze të Fakultetit Filologjik dhe studentët e tyre.

Dita e tretë e PISU-së u përmbyll me një atmosferë të ngrohtë dhe festive, duke bashkuar mësimin, artin, kulturën dhe shkëmbimin ndërkombëtar në një përvojë të pasur për të gjithë pjesëmarrësit.