Mbahet provimi pranues në disa Njësi Akademike të Universitetit të Prishtinës – rritet trendi i konkurrimit për studime, pavarësisht sfidave demografike  

08 Korrik 2026
SHARE

Sot është mbajtur provimi pranues në disa Njësi Akademike të Universitetit të Prishtinës, në përputhje me kalendarin e konkursit për pranimin e studentëve të rinj për vitin akademik 2026/2027.

Provimit pranues iu nënshtruan kandidatët e grupit të parë në Fakultetin Juridik, Fakultetin Filozofik, Fakultetin e Edukimit Fizik dhe Sportit, Fakultetin e Shkencave Matematiko-Natyrore, Fakultetin e Arteve, Fakultetin e Bujqësisë dhe Veterinarisë, Fakultetin e Arkitekturës, Fakultetin e Inxhinierisë Mekanike dhe Fakultetin e Inxhinierisë së Ndërtimit.

Mbajtja e provimit pranues do të vazhdojë edhe për grupin e dytë dhe të tretë, në përputhje me orarin e përcaktuar në konkurs nga Universiteti i Prishtinës.

Me rastin e fillimit të provimit, Rektori i Universitetit të Prishtinës, Prof. Arben Hajrullahu, së bashku me prorektorët, vizitoi fakultetet ku po zhvillohej provimi pranues. Ata ndoqën nga afër mbarëvajtjen e procesit, komunikuan me kandidatët dhe personelin akademik, si dhe u uruan kandidatëve suksese në provimin pranues.

Në fjalën e tij përshëndetëse, Rektori i Universitetit të Prishtinës, Prof. Arben Hajrullahu, i përgëzoi kandidatët që kanë zgjedhur Universitetin e Prishtinës për të vazhduar studimet e tyre, duke theksuar se Universiteti i Prishtinës është institucioni më i madh i arsimit të lartë në Kosovë dhe universiteti i renditur më lart në klasifikimet ndërkombëtare ndër institucionet që ofrojnë studime në gjuhën shqipe. Ai u uroi kandidatëve suksese në provimin pranues dhe një rrugëtim të suksesshëm akademik në Universitetin e Prishtinës.

Rezultatet preliminare të provimit pranues do të shpallen në tabelat e shpalljeve dhe në ueb-faqet e fakulteteve përkatëse, më së largu deri më 11 korrik 2026, në orën 16:00.

Nga gjithsej 7.211 kandidatë të paraqitur për studimet bachelor, Universiteti i Prishtinës do të pranojë 5.663 studentë të rinj në vitin e parë të studimeve për vitin akademik 2026/2027.