Dita e dytë në PISU 2026 hap serinë e punëtorive me prof. Antons Patlins

08 Korrik 2026
SHARE

Dje, në kuadër të Universitetit Ndërkombëtar Veror të Prishtinës (PISU), u mbajt punëtoria e parë e edicionit të 26-të, e udhëhequr nga prof. Antons Patlins, studiues i lartë në Riga Technical University (RTU), në Fakultetin e Shkencave Kompjuterike, Teknologjisë së Informacionit dhe Energjisë.

Në ligjëratën e tij, prof. Patlins u fokusua në procesin e përgatitjes së punimit të diplomës, duke e shpjeguar atë hap pas hapi, nga ideja fillestare deri te mbrojtja finale. Ai theksoi se punimi i diplomës nuk është thjesht një kërkesë formale, por dëshmi se studenti është në gjendje të projektojë dhe të realizojë një hulumtim të pavarur, të punojë sipas standardeve akademike dhe të aplikojë njohuritë në një kontekst profesional.

Prof. Patlins foli për rëndësinë e zgjedhjes së një teme relevante dhe të menaxhueshme, si dhe për formulimin e qartë të pyetjeve kërkimore. Ai nënvizoi se objektivat duhet të jenë të renditura në mënyrë logjike, të matshme dhe në përputhje me strukturën e punimit, ndërsa një pyetje e mirë kërkimore duhet të jetë e qartë, e fokusuar dhe të dalë nga problemi i hulumtimit.

Një pjesë e veçantë e punëtorisë iu kushtua integritetit akademik dhe origjinalitetit në hulumtim. Prof. Patlins theksoi se origjinaliteti nuk nënkupton domosdoshmërisht një zbulim revolucionar, por mund të arrihet edhe përmes aplikimit të një teorie ekzistuese në një kontekst të ri, studimit të një kompanie apo sektori të caktuar, ose përdorimit të një qasjeje metodologjike të ndryshme.

“Kontributi origjinal nënkupton sjelljen e një ideje të re brenda një kornize të qartë,” tha ai.

Prof. Patlins foli gjithashtu për përdorimin e përgjegjshëm të inteligjencës artificiale, duke theksuar se ajo mund të ndihmojë në gjenerimin e ideve, strukturimin e punimit dhe redaktimin gjuhësor, por nuk duhet të përdoret për të krijuar të dhëna të fabrikuara, për të shkruar rishikime të literaturës pa citime, apo për të prodhuar referenca të rreme.

“Punimi i diplomës nuk është thjesht një kërkesë formale. Ai është dëshmi se studenti mund të mendojë në mënyrë analitike dhe kritike,” ishte një nga mesazhet kryesore të profesorit në fund të ligjëratës.

Sipas studentëve pjesëmarrës, kjo punëtori u ofroi këshilla të vlefshme dhe shumë praktike për procesin e përgatitjes së punimit të diplomës. Studentët vendorë theksuan se PISU është një mundësi e mirë për studentët vendorë që të takojnë studentë të huaj, të shkëmbejnë përvoja dhe të përfitojnë njohuri të reja përmes aktiviteteve akademike dhe ndërkulturore.

Kjo punëtori dëshmoi edhe një herë rolin e PISU si një platformë e rëndësishme për bashkëpunim akademik dhe ndërkulturor, duke sjellë së bashku studentë ndërkombëtarë dhe vendorë për shkëmbim përvojash, njohurish dhe idesh të reja.

Pas përfundimit të punëtorisë, studentët ndërkombëtarë shprehën interesim të veçantë për ta njohur më shumë Prishtinën. Ata u organizuan në grupe dhe vizituan hapësira të ndryshme të qytetit, duke e parë këtë si një mundësi për të kombinuar përvojën akademike me njohjen e kulturës lokale.