Sot, Universiteti i Prishtinës hapi zyrtarisht edicionin e 26-të të Universitetit Ndërkombëtar Veror të Prishtinës (Prishtina International Summer University – PISU), duke mirëpritur rreth 350 studentë nga Kosova dhe vende të ndryshme të botës. Ky program ndërkombëtar vazhdon të jetë një urë e rëndësishme e bashkëpunimit akademik, ndërkulturor dhe e shkëmbimit të përvojave mes të rinjve nga katër kontinente.
Rektori i Universitetit të Prishtinës, Prof. Arben Hajrullahu, në fjalën e tij drejtuar pjesëmarrësve, shprehu falënderimin dhe vlerësimin për profesorët dhe studentët nga vendi dhe jashtë, të cilët janë bërë pjesë e këtij edicioni të PISU. Rektori Hajrullahu nënvizoi se Universiteti Ndërkombëtar Veror është promotori kryesor i ndërkombëtarizimit të Universitetit të Prishtinës, duke shërbyer jo vetëm si platformë për zhvillim akademik, por edhe si mjedis që nxit krijimin e miqësive të reja, bashkëpunimin ndërkulturor dhe shkëmbimet shoqërore.
Në ceremoni folën edhe zëvendësministri në detyrë i Arsimit, Përparim Kryeziu; ushtruesi i detyrës në Zyrën e BE-së në Kosovë, Boguslaw Gertruda; dhe prorektorja për Ndërkombëtarizim dhe Shkëmbim Akademik, Prof. Rozafa Basha.
Gjatë dy javëve në vijim, pjesëmarrësit do të ndjekin kurse të udhëhequra nga profesorë vendorë dhe ndërkombëtarë, si dhe do të marrin pjesë në aktivitete kulturore, debate, ligjërata dhe ngjarje të ndryshme që promovojnë njohjen e Kosovës dhe krijimin e miqësive të reja.
Këtë vit, Universiteti Veror përfshin 19 kurse dhe 12 punëtori ndërkombëtare, si dhe një program të pasur aktivitetesh akademike dhe kulturore, përfshirë UPWard Student Film Festival, shënimin e 250-vjetorit të SHBA-së, Forumin e Diasporës Akademike, natën tradicionale, natën ndërkombëtare, aktivitete sportive dhe ekskursione në Kosovë.
PISU vazhdon të jetë një nga programet më të rëndësishme ndërkombëtare të Universitetit të Prishtinës, duke e shndërruar kampusin tonë në një hapësirë të takimit të kulturave, ideve dhe inovacionit. Universiteti i Prishtinës u uron mirëseardhje të gjithë studentëve dhe profesorëve pjesëmarrës dhe u dëshiron një përvojë të paharrueshme akademike e kulturore në Prishtinë.