Universiteti i Prishtinës po vazhdon të ndërmarrë hapa të rëndësishëm në misionin e tij si botues universitar. Përmes Botimeve të Universitetit të Prishtinës / Prishtina University Press (BUP), Universiteti po hap një kapitull të ri në shpërndarjen e dijes akademike me studentët, stafin, komunitetin e gjerë akademik dhe publikun në përgjithësi.
Rregullorja dhe udhëzuesi për veprimtarinë botuese universitare është miratuar vitin e kaluar. Ndërsa, gjatë këtij viti por krijohet infrastruktura e duhur softwerike dhe rregullative, për të vënë themelet e procedurës institucionale të BUP-it për t’u zhvilluar si një shtëpi botuese universitare kredibile. Aktualisht, BUP është duke e ndërtuar identitetin botues, uebfaqen e saj mbështetëse të bazuar në CMS, procedurat e botimit, si dhe duke hapur mundësi për stafin akademik që të dorëzojë dorëshkrime për botim. Në qershor, BUP ka ftuar njësitë akademike të dërgojnë propozimet e tyre për planin vjetor të botimit, duke ofruar mundësi për botime stafit të rregulltë, profesorëve dhe asistentëve, fillimisht me tekste mësimore dhe monografi.
Profesor Arsim Canolli, anëtar i Këshillit Botues, tha: “Ky është një hap i madh për UP-në. Së pari, studentët do të kenë rastin të lexojnë falas të gjitha materialet e botuara nga BUP. Së dyti, stafi akademik do të përkrahet përmes redaktimit, recensionit, lekturës, dizajnit, përkthimit e deri te promovimi, pa asnjë kompenzim. Së treti, puna e stafit akademik hapet ndaj lexuesit të gjerë”.
Profesor Adem Beha, kryetar i Këshillit Botues, tha: “Jemi para një etape të re në zhvillimin e veprimtarisë botuese të Universitetit të Prishtinës. Duke investuar në infrastrukturë, standarde të larta editoriale dhe qasje të hapur në botimet shkencore, Universiteti synon të krijojë një model të qëndrueshëm botimi, që rrit cilësinë, dukshmërinë dhe ndikimin e kërkimit shkencor të prodhuar në universitet. Në këtë mënyrë, Botimet e Universitetit të Prishtinës do të shndërrohen në një platformë të besueshme për promovimin e dijes, forcimin e kulturës së hulumtimit dhe avancimin e rolit të universitetit në zhvillimin shkencor, arsimor dhe shoqëror të vendit”.
Ky hap shënon një përkushtim të rëndësishëm për ta bërë dijen universitare më të dukshme, më të qasshme dhe më të dobishme. Duke mbështetur botimin me Diamond Open Access, Universiteti i Prishtinës siguron që puna akademike të lexohet falas, pa barriera për lexuesit dhe pa pagesa botimi për autorët. Në këtë mënyrë, Universiteti e forcon misionin e tij publik si një hapësirë ku dija prodhohet, ndahet dhe vihet në dispozicion për të mirën e shoqërisë.
Deri në fund të këtij viti, BUP pritet të botojnë një numër monografish, tekstesh mësimore dhe doracakësh për studentë. Këto botime do të kontribuojnë drejtpërdrejt në mësimdhënie dhe hulumtim, duke e bërë njëkohësisht punën intelektuale të Universitetit më të qasshme për një lexueshmëri më të gjerë.
Miratimi i qasjes “Diamond Open Access” është politikë botuese dhe akademike që nënvizon përkushtimin e Universitetit të Prishtinës ndaj hapjes, gjithëpërfshirjes, cilësisë akademike dhe vlerës publike të dijes në gjuhën shqipe