Në nderim të profesorëve Ejup Statovci dhe Eshref Ademaj Senati miratoi propozimin për emërtimin e hapësirave në kampuset e Universitetit të Prishtinës me emrat e tyre

30 Qershor 2026
SHARE

Senati i Universitetit të Prishtinës, në mbledhjen e mbajtur më 30 qershor 2026, mori një sërë vendimesh me rëndësi për forcimin e integritetit akademik, avancimin e cilësisë në arsim dhe zhvillimin e mëtejmë institucional të universitetit.

Me votim unanim, senatorët miratuan Konkluzionin për ruajtjen e integritetit akademik, standardeve etike dhe reputacionit të Universitetit të Prishtinës, me qëllim të garantimit të transparencës dhe besueshmërisë në proceset e emërimit, rizgjedhjes dhe avancimit të personelit akademik.

Në kuadër të këtij angazhimi, Senati miratoi edhe propozimin për emërimin e një komisioni ad hoc për shqyrtimin e pretendimeve për plagjiaturë lidhur me pozitat nr. 4 dhe nr. 12 në Fakultetin e Arteve. Po ashtu, senatorët shqyrtuan një ankesë të paraqitur kundër një vendimi të Këshillit të Etikës.

Në funksion të përmirësimit të vazhdueshëm të cilësisë në universitet, Senati miratoi Rregulloren për Sigurimin e Cilësisë, Udhëzuesin për Sigurimin e Cilësisë dhe Udhëzuesin për organizimin e provimeve pranuese në Universitetin e Prishtinës.

Një nga pikat kryesore të rendit të ditës ishte edhe miratimi për akreditim i disa programeve të reja të studimit, duke zgjeruar ofertën akademike të universitetit dhe duke kontribuar në zhvillimin e programeve bashkëkohore në përputhje me nevojat e arsimit të lartë.

Senati vazhdoi gjithashtu procedurat e emërimit, rizgjedhjes dhe avancimit të personelit akademik në Fakultetin e Filologjisë, Fakultetin e Inxhinierisë së Ndërtimit, Fakultetin e Edukimit, Fakultetin e Bujqësisë dhe Veterinarisë, Fakultetin Filozofik, Fakultetin Ekonomik dhe Fakultetin e Shkencave Matematike-Natyrore.

Në fushën e studimeve të doktoratës, senatorët miratuan tri tema të reja të doktoratës me mentorët përkatës dhe ratifikuan edhe tri tema të tjera, ndërsa u miratuan edhe redaktorët profesionalë për tri tekste universitare.

Senati po ashtu miratoi propozimin për emërtimin e hapësirave në kampuset e Universitetit të Prishtinës me emrat e profesorëve ,,Ejup Statovci” dhe ,,Eshref Ademaj”, në nderim të kontributit të tyre për universitetin dhe shoqërinë.

Gjithashtu, u miratua hapja e një pozite të re për profesor në Fakultetin e Mjekësisë, si pjesë e përforcimit të kapaciteteve akademike të këtij fakulteti.

Vendimet e marra në këtë mbledhje pasqyrojnë angazhimin e vazhdueshëm të Senatit për forcimin e cilësisë akademike, ruajtjen e integritetit institucional dhe zhvillimin e qëndrueshëm të Universitetit të Prishtinës.