Lansimi dhe prezantimi i Planit Strategjik 2026–2030

24 Qershor 2026
SHARE

Më 19 qershor 2026, Universiteti i Prishtinës prezantoi zyrtarisht Planin Strategjik 2026–2030, pas miratimit të tij nga Këshilli Drejtues i UP-së. Me këtë rast u mbajt një punëtori dhe prezantim zyrtar me pjesëmarrjen e menaxhmentit të universitetit, përfaqësuesve të Këshillit Drejtues, personelit akademik dhe administrativ, studentëve si dhe partnerëve zhvillimorë.

Në fjalën e tij, rektori i Universitetit të Prishtinës, prof. dr. Arben Hajrullahu, theksoi rëndësinë e planifikimit strategjik si bazë për zhvillimin afatgjatë të institucionit, duke nënvizuar veçanërisht nevojën për përgjegjësi institucionale në fazën e zbatimit. Ai theksoi se suksesi i strategjisë varet nga operacionalizimi i saj përmes planeve të mirëstrukturuara të veprimit, të përshtatura dhe të zbatueshme, të cilat sigurojnë përkthimin e objektivave strategjike në rezultate konkrete.

Kryesuesja e Këshillit Drejtues të UP-së, znj. Arberesha Nela Turjaka, vlerësoi procesin gjithëpërfshirës të hartimit të strategjisë, duke theksuar se dokumenti përfaqëson një vizion të përbashkët institucional dhe një udhërrëfyes të qartë për modernizimin, ndërkombëtarizimin dhe ngritjen e cilësisë në të gjitha fushat e funksionimit të universitetit. Ajo nënvizoi gjithashtu përgjegjësinë institucionale për garantimin e zbatimit të strategjisë dhe harmonizimin e planeve operative me objektivat strategjike dhe mundësitë buxhetore.

Në këtë ngjarje, përfaqësuesi i projektit SHER, z. Aqim Emurli, përgëzoi Universitetin e Prishtinës për këtë arritje të rëndësishme, duke theksuar se strategjia përfaqëson një udhërrëfyes drejt një universiteti modern, konkurrues dhe të orientuar drejt standardeve evropiane. Ai theksoi se SHER-i ka kontribuuar në proces me anë të ekspertizës teknike, punëtorive, konsultimeve dhe mbështetjes së grupeve punuese, duke siguruar një qasje gjithëpërfshirëse me pjesëmarrjen e menaxhmentit, personelit dhe studentëve.

Projekti SHER, i financuar nga Agjencia Austriake për Zhvillim dhe i bashkëfinancuar nga MASH-i dhe i zbatuar nga WUS Austria, Zentrum für Soziale Innovation (ZSI) dhe OeAD, ka mbështetur Universitetin e Prishtinës në dizajnimin e politikave të rëndësishme të cilat kanë rrjedhur nga Statuti i ri i Universitetit.

Plani Strategjik 2026–2030 i UP-së fokusohet në gjashtë fusha kryesore: ekselenca akademike, përvoja studentore, kërkimi dhe inovacioni, ndërkombëtarizimi, qeverisja dhe qëndrueshmëria, si dhe transformimi digjital.

Ngjarja u vlerësua si një hap i rëndësishëm drejt konsolidimit të vizionit të Universitetit të Prishtinës për një institucion modern, cilësor dhe të integruar në hapësirën evropiane të arsimit të lartë dhe kërkimit shkencor.