Punëtoria për ekonominë e barnave paralajmëron edicion të fuqishëm të Universitetit Ndërkombëtar Veror të Prishtinës

24 Qershor 2026
SHARE

Në Fakultetin e Mjekësisë të UP-së me hapje solemne nisi punëtoria ndërkombëtare për farmakoepidemiologjinë, ekonominë e barnave dhe përdorimin e mjeteve të inteligjencës artificiale për politikat dhe planifikimet shëndetësore.

Punëtoria e organizuar nga Universiteti Ndërkombëtar Veror i Prishtinës dhe Instituti i Farmacisë u bashkëdrejtua nga profesoresha e Universitetit Monash të Australisë dhe e afiliuara së fundmi edhe me Universitetin e Prishtinës, prof. Zanfina Ademi, profesori i Universitetit të Utrehtit në Holandë, prof. Olaf Klungel dhe profesori i Universitetit të Prishtinës, prof. Kreshnik Hoti.

Kjo punëtori i parapriu edicionit të sivjetmë të Universitetit Ndërkombëtar Veror të Prishtinës, që mbahet nga 6 deri më 17 korrik 2026 dhe do të ketë 19 kurse që do të zhvillohen nga profesorë ndërkombëtarë në bashkëpunim me ata vendas dhe 12 punëtori ndërkombëtare.

Gjatë punëtorisë së sotme u diskutua për ndikimin e barnave në grupimet e mëdha të popullatës, ekonominë e proceset rregullatore shëndetësore dhe përdorimin e mjeteve digjitale dhe të inteligjencës artificiale për vendimmarrjen në shëndetësi.

Rektori, prof. Arben Hajrullahu, në këtë ngjarje të rëndësishme për UP-në, tha se roli i universitetit është kontributi për shoqërinë dhe lidhja sa më e ngushtë mes hulumtimit, mësimit dhe dobisë për shoqërinë. Ai përgëzoi të tre profesorët për punëtorinë, sidomos profesoreshën Zanfina Ademi për gatishmërinë e bartjes së dijes dhe përvojës së saj te studentët e UP-së.

Dekani i Fakultetit të Mjekësisë, prof. Sefedin Muçaj, tha se në shëndetësi vendimet më të mira merren kur kombinohen provat shkencore, ekspertiza profesionale dhe teknologjia bashkëkohore. Folën edhe drejtorja e Institutit të Farmacisë, prof. Pranvera Breznica dhe kryetari i Odës së Farmacistëve të Kosovës, Kadri Bytyqi.

Më pas,  Punëtoria Ndërkombëtare „From Evidence to Decision: Pharmacoepidemiology, Health Economics, and AI-Enabled Digital Tools” vazhdoi me pjesën e saj tematike.

Profesoresha Zanfina Ademi, e afiliuar me UP-në në shkurt të vitit 2026, ka mbajtur tashmë disa ligjërata në Universitetin e Prishtinës. Ajo është profesoresha më e cituar shqiptare në botë dhe njëra nga tetë profesorët e diasporës akademike me punë në 400 universitetet më të njohura të globit të lidhur me UP-në.