Në Fakultetin e Edukimit të Universitetit të Prishtinës, nisi sot e do të vazhdojë edhe nesër, edicioni i gjashtë i Konferencës Ndërkombëtare të Kosovës për Kërkime Arsimore (KICER) 2026.
Konferenca, edhe sivjet, sikur edhe vitet tjera, do të bëjë bashkë mbi 450 pjesëmarrës: studiues, mësimdhënës, studentë, ekspertë të arsimit dhe përfaqësues institucionalë. Programi i këtij viti përfshin mbi 120 prezantime shkencore, 22 sesione paralele, poster prezantime dhe ligjërata kyçe nga studiues vendorë dhe ndërkombëtarë.
Tema e edicionit të sivjetmë të konferencës lidhet me avancimin e arsimit dhe përgatitjes së mësimdhënësve, cilësinë, barazinë dhe transformimin e politikave. Prodekania për shkencë dhe zhvillim në Fakultetin e Edukimit, prof. Blerta Perolli-Shehu, theksoi se cilësia e arsimit është mënyra e vetme e ndërtimit të së ardhmes së vendit.
Rektori i Universitetit të Prishtinës, prof. Arben Hajrullahu tha se mundësitë janë shumë të mira për të krijuar një shoqëri të dijes dhe nëse UP-ja e bën këtë, atëherë krijohet një bazë solide për t’i mbajtur njerëzit në vend dhe për një zhvillim të qëndrueshëm.
Ministri në detyrë i Arsimit dhe Shkencës, z.Hajrulla Çeku, duke shprehur gatishmërinë për të mbështetur UP-në dhe Fakultetin e Edukimit, tha se është në vendin ku ndodhin ndryshimet dhe përgatiten mësimdhënësit e rinj.
Dekani i Fakultetit të Edukimit, prof. Blerim Saqipi, tha se të gjithë ata që punojnë në këtë fakultet kanë përgjegjësi të madhe, pasi përgatisin mësimdhënësit që kanë për detyrë ta mësojnë brezin e ri për t’u përballur me botën e epokës së inteligjencës artificiale që po ndryshon shumë shpejt.
Pastaj konferenca vazhdoi me fjalën e parë kyçe të saj, gjatë së cilës njohësi i çështjeve arsimore, prof. Dukagjin Pupovci shpjegoi pse testi PISA nuk po prodhon rezultate të kënaqshme në Kosovë.
Konferenca do të vazhdojë edhe me sesione për zhvillimin e arsimit, reformën kurrikulare, gjithëpërfshirjen, edukimin në fëmijërinë e hershme, teknologjinë dhe inteligjencën artificiale në arsim, zhvillimin profesional të mësimdhënësve, udhëheqjen shkollore, vlerësimin dhe inovacionin pedagogjik. Janë paraparë edhe ligjërata nga dr. Seamus Delaney, pjesë e Universitetit Deakin në Australi, prof. dr. Matthias Ludwig nga Universiteti “Goethe”i Frankfurtit të Gjermanisë.
Vitin e kaluar konferenca kishte temë bosht arsimin në epokën e globalizmit dhe mundësitë për mësimdhënie dhe mësimnxënie transformuese.