Universiteti i Prishtinës arrin marrëveshje me Ministrinë e Mbrojtjes

22 Qershor 2026
SHARE

Ministri në detyrë i Mbrojtjes Ejup Maqedonci bashkëbisedoi sot me studentët, profesorët dhe dekanët e profileve inxhinierike dhe të shkencave matematike-natyrore të UP-së në lidhje me përfshirjen e mundshme të tyre në projektet e industrisë ushtarake. 

Kjo ministri është afër kompletimit të një kompleksi industrial modern për municione me tri komponente: prodhimin; testimin; dhe transportin/eksportin e produkteve. 

Ministri Maqedonci tha se për këtë projekt Universiteti i Prishtinës dhe studentët e tij janë të domosdoshëm.  Ai më pas iu përgjigj pyetjeve të të pranishmëve dhe dha sqarimet e nevojshme. 

Rektori, prof. Arben Hajrullahu, e vlerësoi lart mundësinë e punësimit të studentëve të UP-së në sektorin e industrisë së mbrojtjes dhe projektet e sigurisë kombëtare dhe deklaroi se ekziston vullneti, dëshira dhe gatishmëria në Universitetin e Prishtinës që me krejt çfarë kemi, dimë e mundemi të vihemi në shërbim të vendit. 

Më pas, drejtuesit e dy institucioneve nënshkruan një marrëveshje, e cila krijon një kornizë bashkëpunimi mes UP-së dhe Ministrisë së Mbrojtjes për zhvillimin e aktiviteteve të përbashkëta profesionale, teknike, shkencore dhe akademike. 

Sipas marrëveshjes, UP-ja do të ofrojë ekspertizë profesionale dhe shkencore në fushat me interes dhe projektet e Ministrisë së Mbrojtjes. Ekspertët nga universiteti gjithashtu do të marrin pjesë në komisione, grupe punuese dhe mekanizma tjerë të ministrisë, me pajtim të ndërsjellë. Me marrëveshje është paraparë edhe bashkëpunimi në fusha që lidhen me mbrojtjen, sigurinë dhe menaxhimin e krizave.

Universiteti i Prishtinës gjatë këtij viti nënshkroi marrëveshje bashkëpunimi me disa ministri dhe institucione tjera, me qëllimin që me ekspertizën e personelit të tij të jetë në shërbim të së mirës publike.