Sot, në prani të menaxhmentit të Universitetit të Prishtinës, studentët e programit master në Gjuhësi të Integruar prezantuan gjetjet e hulumtimeve të tyre mbi katër tema me rëndësi për cilësinë në universitet: transparencën në vlerësimin e studentëve, gatishmërinë e të diplomuarve për tregun e punës, zbatimin e mësimdhënies ndërvepruese dhe praktikat e vlerësimit të vazhdueshëm.
Gjatë gjithë semestrit, nën udhëheqjen e profesoreshave Blerta Mustafa dhe Zinaide Gruda, studentët ushtruan rolin e hulumtuesve. Ata dëgjuan perspektiva të ndryshme, nga studentët dhe profesorët deri te përfaqësuesit e tregut të punës, menaxherët e burimeve njerëzore dhe drejtuesit e institucioneve. Përmes intervistave, anketave dhe analizës së politikave ekzistuese, ata kërkuan jo vetëm të identifikonin sfidat, por edhe të propozonin zgjidhje konkrete për një universitet më cilësor, më gjithëpërfshirës dhe më të lidhur me nevojat e shoqërisë. Gjetjet dhe rekomandimet e tyre të vlefshme për përmirësimin e cilësisë së mësimdhënies, kërkimit shkencor dhe vlerësimit të studentëve në UP i paraqitën para rektorit, profesor Arben Hajrullahu, prorektorëve, profesor Avni Hajdari e profesor Adem Beha, dekanit, profesor Abdulla Rexhepi dhe profesorëve e studentëve nga departamente të ndryshme të UP-së.
Në fjalën e saj hyrëse, profesoresha Blerta Mustafa theksoi se cilësia nuk është vetëm çështje procedurash dhe rregulloresh, por mbi të gjitha çështje komunikimi, besimi dhe dialogu. Ajo nënvizoi se studentët duhet të shihen si partnerë në zhvillimin e universitetit, sepse ndryshimet më domethënëse ndodhin kur studentët dhe profesorët punojnë së bashku.
Rektori Hajrullahu përshëndeti iniciativën dhe vlerësoi hulumtimet e studentëve si një mjet të rëndësishëm për përmirësimin e mësimdhënies dhe proceseve menaxheriale në universitet, duke theksuar se vendimmarrja duhet të mbështetet në dëshmi empirike, si dhe në të dëgjuarit aktiv dhe dialog të vazhdueshëm si bazë e zhvillimit institucional.
Edhe dekani i Fakultetit të Filologjisë vlerësoi iniciativën si një kontribut të rëndësishëm në sigurimin e cilësisë, duke theksuar se temat e trajtuara janë ndër fushat kyçe që adresohen në mënyrë të vazhdueshme në proceset e vlerësimit dhe akreditimit institucional.
Ajo që e bëri këtë aktivitet të veçantë nuk ishin vetëm prezantimet, por dialogu që pasoi. Studentët dhe profesorët diskutuan hapur mbi gjetjet, sfidat dhe mundësitë për përmirësim, duke dëshmuar se universiteti është më i fortë kur ndërtohet mbi bashkëpunim dhe respekt të ndërsjellë.
Rekomandimet e studentëve do të finalizohen në formën e dokumenteve të politikave dhe do t’i përcillen menaxhmentit të Universitetit të Prishtinës.
Ky aktivitet dëshmoi se studentët nuk janë vetëm përfitues të arsimit të lartë. Ata janë partnerë, hulumtues dhe kontribuues të rëndësishëm në ndërtimin e universitetit. Sepse universitetet më të mira nuk janë ato ku flitet më shumë, por ato ku dëgjohet, reflektohet dhe veprohet.